Lidhje

Rusi: Policia bastis shtëpinë e kryeredaktorit të medias investigative "Insider"


Policia në Rusi bastisi shtëpinë e kryeredaktorit të medias investigative “Insider” që u përcaktua kohët e fundit si "agjent i huaj", lëvizja e fundit nga autoritetet për të rritur presionin ndaj medias së pavarur përpara zgjedhjeve parlamentare të vendit në shtator.

Kryeredaktori Roman Dobrokhotov shkruante në Twitter të mërkurën në mëngjes se "policia po troket" në derën e banesës së tij dhe gruaja e tij raportoi bastisjen tek grupi i ndihmës ligjore OVD-Info përpara se telefoni i saj të bëhej i padisponueshëm.

Një avokat nga një grup tjetër ndihme ligjore, Pravozashchita Otkrytki, shkoi në banesën e Dobrokhotovit dhe tha se policia konfiskoi celularët, laptopët dhe tabletat gjatë bastisjes, si dhe pasaportën ndërkombëtare të Dobrokhotovit.

Sergei Yezhov, një gazetar i faqes Insider”, tha se Dobrokhotov kishte në plan të udhëtonte jashtë Rusisë të mërkurën.

Policia bastisi gjithashtu shtëpinë e prindërve të tij, tha “Insider”.

Mbështetësit e opozitës ruse, gazetarët e pavarur dhe aktivistët e të drejtave të njeriut janë përballur me shtimin e presionit të qeverisë përpara zgjedhjeve të shtatorit, që shihen gjerësisht si një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të Presidentit Vladimir Putin për të forcuar sundimin e tij para garës presidenciale të vitit 2024.

Udhëheqësi 68-vjeçar rus, i cili ka qenë në pushtet për më shumë se dy dekada, nxiti ndryshime kushtetuese vitin e kaluar që ia bëjnë atij të mundur të mbajë pushtetin deri në vitin 2036.

Muajt e fundit, qeveria etiketuar disa media të pavarura dhe gazetarë si "agjentë të huaj" – gjë që nënkupton mbikqyrje shtesë nga ana e qeverisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG