Lidhje

Portikët e Bolonjës i shtohen trashëgimisë së UNESCO-s


Portikët e Bolonjës në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:58 0:00

Strukturat arkitektonike të Bolonjës në Itali të njohura si portikë, i janë shtuar listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Italia ka trashëgimi të shumta botërore, por kjo është e para për qytetin verior dhe portikët e tij të famshëm, karakteristikë për Bolonjën.

Portikët e Bolonjës në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:58 0:00

Ato të mbrojnë nga shiu dhe dielli, krijojnë hije shumë të nevojshme dhe janë të pranishëm në mbarë Bolonjën.

Portikët e ndërtuar që nga shekulli i 11-të e më tej, janë një tipar karakteristik i qytetit.

Historikisht, ato kanë qenë një vend biznesi, një vend ku bankierët dhe avokatët mund të takonin klientët e tyre, apo edhe një vend ku libraritë mund të shfaqnin librat e tyre.

Me themelimin e Universitetit të Bolonjës në vitin 1088, qyteti përjetoi një rritje të popullsisë dhe si pasojë ... një krizë strehimi.

Ndërsa ligjet u ndalojnë pronarëve të ndërtonin mbi ndërtesat ekzistuese, bolonjezët filluan të ndërtonin horizontalisht dhoma shtesë me ndihmën e trarëve prej druri.

"Me kalimin e kohës, këto hapësira u zgjeruan duke kërkuar më shumë mbështetje, për t'i bërë ato më të qëndrueshme. Trarët diagonalë dhe horizontalë që janë përdorur më parë janë zëvendësuar me trarë vertikalë", shpjegon Elena Bonesi , një historiane arti dhe guidë për kompaninë Bologna Welcome.

Ndërsa qëllimi ishte krijimi i hapësirave brenda pasurive të patundshme, qyteti i Bolonjës i kuptoi shpejt avantazhet e hapësirës së mbuluar të katit të parë të krijuar falë këtyre strukturave të reja.

Duke filluar nga viti 1288, çdo pronari të ndërtesës iu kërkua me ligj të ndërtonte një portik.

"Portiku ishte menduar të përdoret si një rrugë-kalimi publike, edhe pse prona është private. Pra, çdo ndërtesë private duhej të ndërtonte një portik me ligj, por zona e kalimit nuk ishte pronë e tyre. Në të njëjtën kohë pronarit i duhej të pastronte dhe mirëmbante portikun, gjë që ndodh edhe sot", shpjegon zonja Bonesi.

Portikët janë në pritje të miratimit nga komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, që kur u shtuan në një listë tentativë të Trashëgimisë Botërore në vitin 2006.

Oferta e fundit përfshin 12 nga portikët më simbolikë të qytetit.

Federica Legnani, e cila është përgjegjëse për kandidaturën e qytetit në UNESCO, thotë se portikët e Bolonjës janë më shumë sesa struktura të bukura arkitektonike:

"Komercialë apo socialë, portikët janë një vend shkëmbimi, që është shumë i lidhur me karakteristikat e njohura të Bolonjës. Gjithashtu për shkak të vendndodhjes së saj qendrore midis Italisë veriore dhe jugore, Bolonja është një vend shkëmbimi, është mikpritës, dhe ndonjëherë njerëzit madje qëndrojnë këtu", thotë ajo.

Nëse janë të periudhës së mesjetës, të bëra prej druri apo nga epoka e Rilindjes, të ndërtuara me tulla apo gurë, portikët janë një pjesë integrale e jetës së banorëve.

"Kur shkoj në qytete të tjera, gjithmonë habitem nga mungesa e portikëve sepse ato të mbrojnë nga shiu dhe të gjitha kushtet e tjera atmosferike. Janë një karakteristikë unike e qytetit tonë sigurisht dhe kjo është diçka për t'u marrë parasysh", thotë Elisabetta Zucchini, banore e qytetit.

Portikët e Bolonjës përfshijnë strukturën më të gjatë të tillë në botë - pothuajse katër kilometra vendkalim të mbuluar dhe të asfaltuar mirë, të ndërtuar për të shkuar në faltoren e Madonna di San Luca.

Portiku është i përbërë nga 666 harqe dhe mbron pelegrinët gjatë rrugës deri në kodër.

Për qytetin e Bolonjës, marrja e statusit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s mund të jetë një mënyrë për të diversifikuar turizmin e tij përtej ushqimit, thotë zonja Legnani.

Turistët që vijnë vlerësojnë mbi të gjitha ushqimet dhe ata shpesh janë paksa të shpërqëndruar kur bëhet fjalë për të gjitha monumentet interesante, muzeumet apo hapësirat kulturore. Kështu që besoj se portikët janë një shembull i mirë, nuk janë ndërtesa monumentale por është diçka që lidh të gjithë qytetin. Ky është një qytet i përbërë nga shumë gjëra të bukura dhe jo një gjë e vetme", thotë ajo.

Sesioni në internet i Komitetit të UNESCO-s për Trashëgimitë Botërore po zhvillohet nga Fuzhou në Kinë nga data 16-31 korrik.

Në total, janë aktualisht 1'121 monumente të listuara si pasuri të mbrojtura nga UNESCO, në 167 vende të botës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG