WASHINGTON (AP) – Ish Presidenti Donald Trump u kishte bërë thirrje zyrtarëve të lartë të Departamentit të Drejtësisë që t’i shpallnin rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 "të korruptuara" në një telefonatë në muajin dhjetor. Kjo, sipas shënimeve të marra me dorë nga njëri prej pjesëmarrësve në bisedë. Shënimet e thirrjes telefonike të datës 27 dhjetor u publikuan të premten nga Komisioni Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve i udhëhequr nga demokratët. Ato nënvizojnë magnitudën e përpjekjeve të ish-presidentit Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve dhe për të kërkuar mbështetjen e zyrtarëve të zbatimit të ligjit dhe udhëheqësve të tjerë të qeverisë në atë përpjekje.
Emailet e publikuara muajin e kaluar tregojnë se zoti Trump dhe aleatët e tij në javët e fundit të presidencës së tij i bënë presion Departamentit të Drejtësisë për të hetuar pretendimet e pabazuara për mashtrime të përhapura në zgjedhjet e vitit 2020. Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë po heton nëse zyrtarët e departamentit u përpoqën të përmbysnin rezultatet.
"Vetëm thoni se zgjedhjet ishin të korruptuara dhe pjesën tjetër ma lini mua dhe përfaqësuesve republikanë", i ka thënë zoti Trump në një moment Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë Jeffrey Rosen, sipas shënimeve të marra nga Richard Donoghue, i cili në atë kohë ishte zëvendës Prokuror i Përgjithshëm dhe ishte pjesë e bisedës telefonike.
Presioni është edhe më i dukshëm sepse vetëm javë më parë, vetë Prokurori i Përgjithshëm i emëruar nga Trumpi, William Barr, kishte zbuluar se Departamenti i Drejtësisë nuk kishte gjetur prova për manipulime të përhapura që mund të kishin përmbysur rezultatin.
Telefonata e 27 dhjetorit u bë vetëm disa ditë pasi kryeprokurori Barr kishte dhënë dorëheqjen, duke e lënë zotin Rosen në krye të departamentit gjatë javëve të fundit të trazuara të administratës që përfshinë edhe trazirat e 6 janarit në Kapitol, në të cilat mbështetës pro-Trumpit sulmuan ndërtesën ndërsa Kongresi po vërtetonte rezultatet e zgjedhjeve.
"Këto dorëshkrime tregojnë se Presidenti Trump udhëzoi drejtpërdrejt agjencinë më të lartë të zbatimit të ligjit që të ndërmerrte hapa për të përmbysur zgjedhjet e lira dhe të ndershme në ditët e fundit të presidencës së tij," tha në një deklaratë kryetarja e komisionit Carolyn Maloney, një demokrate nga Nju Jorku.
Ajo tha se komisioni kishte filluar të caktonte intervista me dëshmitarë. Departamenti i Drejtësisë në fillim të kësaj jave autorizoi gjashtë dëshmitarë, përfshirë zotin Rosen dhe Donoghue, të paraqiteshin para komisionit dhe të jepnin "dëshmi të pakufizuara", duke cituar interesin publik në "ngjarjet e jashtëzakonshme" të atyre javëve të fundit të administratës.
Gjatë telefonatës, sipas shënimeve, Trumpi u ankua se njerëzit ishin "të zemëruar" dhe fajësonin Departamentin e Drejtësisë për "mosveprim" dhe tha se "Ne kemi një detyrim t'u themi njerëzve se këto ishin zgjedhje të paligjshme, të korruptuara". Ai pretendoi se departamenti kishte dështuar t'u përgjigjej ankesave legjitime për krim. Pretendimet e pabazuara të mashtrimit janë refuzuar në mënyrë të përsëritur nga nj; numër gjykatësish, përfshirë të emëruarit nga zoti Trump, dhe nga zyrtarët zgjedhorë në të gjithë vendin.
Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë i thanë zotit Trump se departamenti ishte duke hetuar, por pretendimet nuk mbështeteshin në prova, dhe thanë se, sipas shënimeve të zotit Donoghue, shumica e informacionit që ai po merrte ishte "i rremë".
Në një moment të bisedës, sipas shënimeve, zoti Rosen i tha zotit Trumpit se Departamenti i Drejtësisë "nuk mund të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve me një të kërcitur të gishtave, gjërat nuk funksionojnnë në atë mënyrë".
Sipas shënimeve, zoti Trumpi u përgjigj duke thënë: "Nuk pres që ju ta bëni këtë, thjesht thoni që zgjedhjet ishin të korruptuara.. pjesën tjetër lërmani mua dhe ligjvënësve republikanë."
Gjatë telefonatës Presidenti Trumpi hodhi mendimin për zëvendësimin e drejtuesit të Departamentit të Drejtësisë me Jeffrey Clark-un, asistent i atëhershëm i prokurorit të përgjithshëm të Divizionit të Mjedisit dhe Burimeve Natyrore.
Pasi gazeta The New York Times raportoi se zoti Trump po mendonte një plan të tillë, Inspektori i Përgjithshëm njoftoi se do të hetonte nëse ndonjë zyrtar i departamentit të mëparshëm ose aktual ishte "i përfshirë në një përpjekje të pahijshme" për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.