Lidhje

Shkodër, Artizanati në mbështetje të turizmit


Artizanati në mbështetje të turizmit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00

Artizanati në mbështetje të turizmit

Në qytetin e Shkodrës u hap sot panairi dy ditor i artizanatit me pjesëmarrjen e artizanëve nga disa qytete të Shqipërisë si dhe nga Kosova dhe Mali i Zi. Pas një viti kufizimesh, për shkak të pandemisë, panairi i artizanatit synon promovimin e trashëgimisë kulturore në shërbim të zhvillimit të turizmit në Shqipëri.

Pas një periudhe të gjatë kufizimesh për shkak të pandemisë, artizanët nga disa qytete të Shqipërisë, si dhe nga Kosova e Mali i Zi, u bashkuan sot në qytetin e Shkdorës në panairin e artizanatit, në përpjekje për të promovuar punimet e tyre, të mbështetura mbi traditën familjare, por edhe për të mbështetur sezonin turistik veror.

Artizanja nga Elbasani, Zana Hoxha, është mjeshtre e punimit të qilimave, mbështetur mbi traditën e qytetit të saj, por edhe zonave të tjera të Shqipërisë. Ajo i tha Zërit të Amerikës se, përveç panaireve, edhe rrjetet sociale tashmë po ndihmojnë për të promovuar artikujt e artizanatit.

“Vitin e kaluar, siç e dinë të gjithë, prej pandemisë ishte shumë dobët, ndërsa sivjet ka më lëvizje sepse ka filluar fluksi i emigrantëve. Ka lëvizje, ka gjallëri, është një vit i mbarë. Pastaj, puna ime është më tepër me rrjetet sociale. Janë emigrantët që kërkojnë diçka tradicionale, e bëjnë me porosi dhe ne jua dërgojmë”.

E njohur në Shkodër dhe me gjërë si “artizanja e shqipes”, Ardjana Handraj, thotë se, që nga 100 vjetori i Pavarësisë, i është përkushtuar simbolit të shqiponjës së flamurit në punimet e saj të dorës, për të cilat, siç thote ajo, ka kërkesa të shumta, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj.

“I jam përkushtu vetëm shqipes dhe di me e punu. Jam krenare që kena këtë symbol. Me 1 gusht kam qenë në Vuthaj, në Plav dhe Guci. Ishte një kënaqësi e madhe. Mbi 2 mijë vetë. Kur i vlerësonin punët e mija me shqipe, ndihesha shumë krenare”

Vitet e fundit, me zhvillimin e turizmit, po ringjallen edhe disa prej traditive të herëshme në fushën e artizanatit dhe zejeve. E tillë është edhe tradita e vorbave e fshatit Gojan, në rrethin e Pukës, një traditë mijëravjeçare e njohur në të gjithë Ballkanin. Kjo traditë, është rikthyer vitet e fundit në saje të mësuesit të informatikës në fshatin Gojan, Shkëlzen Biba dhe babait të tij. Me vorbat e tyre ata u bënë pjesë e pasqyrimit të traditës së Pukës në panairin e artizanatit.

“Mbas vitit 2000 u hapën bujtinat e restorantet dhe erdhën duke u shtu kërkesat për vorba. Kështuqë u hap puna. Kena pasur punë shumë mirë. Me këtë teknikë që përdorim ne për vorbat, nuk ka asnjë tjetër në Shqipëri dhe as në Ballkan”.

Drejtuesi i shoqatës së operatorëve turistikë për Veriun e Shqipërisë, Përparin Laçi, i tha Zërit të Amerikës se, siç po dëshmohet vitet e fundit, artizanati është një mbështetje e madhe për turizmin.

“Këtu është gjithë tradita e vjetër e shqiptarëve, që nuk duhet humbur. Sepse, të gjithë të huajt që vijnë dhe vizitojnë Veriun tonë, Alpet shqiptare, pothuajse kërkojnë këto prodhime. Dhe kjo është në shërbimin më të mirë që i bëhet turizmit në qarkun tonë”.

Në Shqipëri, artizanët janë të vetpunësuar dhe, pjesa me e madhe e tyre, punojnë në shtëpi. Në kushtet e vështirësisë për të tregtuar artikujt e tyre të artizanatit, kohët e fundit ata po përdorin

rrjetet sociale. Ndërkohë, megjithëse artizanët janë pjesë e turizmit, mbështetja për ta nga institucionet shtetërore vazhdon të jetë e pakët

XS
SM
MD
LG