Lidhje

Kosovë: 20 vjet "Dokufest"


Festivali i filmit dokumentar në Prizren
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:11 0:00

Në Prizren po mbahet edicioni i 20-të i festivalit të filmit dokumentar, i njohur si “Dokufest”, në të cilin këtë vit shfaqen mbi 200 filma. Festivali, këtë vit jubilar kthehet në formën klasike, pas edicionit online që u mbajt vitin e kaluar për shkak të pandemisë Covid-19.

Festivali i filmit dokumentar në Prizren
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:11 0:00

Tim Willoms nga Belgjika, ditë më parë u nis me miqtë e tij në një rrugëtim në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën. Derisa po kërkonte gjëra interesante për të vizituar në Kosovë, Tim pa festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër - Dokufest, dhe të premten mbrëma qëndroi për herë të parë në Prizren.

“Së pari shkuam në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi dhe përgjatë udhëtimit tonë ne kuptuam që do të zhvillohej ky festival për të cilin nuk kishim dëgjuar më parë. Kështu që e planifikuam udhëtimin tonë ashtu që të jemi këtu për të qenë pjesë e tij”, thotë ai.

Çdo vit, Dokufest mbledh në Prizren vizitorë nga shumë vende të botës duke e shndërruar atë gjatë verës në kryeqendrën kulturore të Kosovës.

“E dua Prizrenin, kam qenë këtu edhe më parë dhe është një nga vendet e mia të preferuara. Për mua, duke qenë edhe i vaksinuar, ishte zgjedhje shumë e natyrshme që të vij këtu, vend i bukur, njerëz të ngrohtë dhe filma shumë të mirë”, i tha Zërit të Amerikës një turist nga Berlini.

Një vit më parë nuk ishte kësisoj në Priren. Pandemia e COVID-19 bëri që festivali të mbahej online. Drejtori i këtij festivali, Eroll Bilibani, thotë se rikthimi i tij në formën klasike dhe atë pikërisht në 20 vjetorin e festivalit, ka rritur edhe interesimin për pjesëmarrje.

“Kemi pasur më shumë se viteve të tjera. Ekziston një kërshëri tash te njerëzit për të shkuar nëpër festivale pas një viti komplet të mbyllur. Kjo ka qenë një sfidë më shumë për ekipin programues, drejtorin artistik dhe programerin e filmave të shkurtë që ta bëjnë përzgjedhjen finale. Për mua një nga programet më të posaçme është ‘twenty for twenty’ që janë 20 filma nga 20 vitet e fundit”, tha zoti Bilibani.

Përvoja e një viti më parë dhe rikthimi në formën klasike bëri që tema e sivjetme e tij është RE-set RE-mix RE-act, që synon të nxisë njerëzit të mendojnë për situatën e re që ka krijuar pandemia në botë.

Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se këtë vit në program do të jenë mbi 200 filma.

“106 filma që garojnë për çmime janë filma të rinj sepse edhe një nga kriterer për t’u pranuar në festival është që filmi të mos jetë më i vjetër se një vit. Shumica e filmave për mendimin tim janë mjaft cilësor, disa janë kulminant dhe mund të them pa asnjë rezervë se filmat që do të mund të shihen këtu janë të tillë që do të shihen edhe në shumë e shumë festivale pas dokufestit e ndoshta disa prej tyre të kurorëzuar edhe me çmime madhore”, tha ai.

Një nga filmat që do të shfaqen përgjatë nëntë ditëve në dhjetë kinema në qytetin e vjetër të Prizrenit, është edhe filmi “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda, i cili karrierën si filmbërës e kishte filluar para shumë vitesh pikërisht në Dokufest, ndërsa sivjet përmes tij Kosova mori pjesë në festivalin prestigjioz të filmit në Kanë.

“Në vitet e para kemi pasur mungesë të energjisë elektrike, mungesë të pajisjeve për shfaqjen e filmave dhe pothuaj 70 për qind e energjisë dhe buxhetit na shkonte duke përgatitur hapësirat për shfaqje. Asnjëri prej nesh nuk e ka besuar që do të arrijmë deri në edicionin e njëzet dhe ndihemi krenar sot me suksesin që ka pasur ky festival e promovimin që ia ka bërë në formën më të mirë Kosovës”, tha zoti Karahoda.

Pak pas përfundimit të luftës në Kosovë, festivali kishte filluar si një përpjekje për të funksionalizuar një kinema në qytetin e Prizrenit. Atëbotë, organizatorët thonë se mezi kishin mbledhur 20 filma të shkurtër dokumentar. Ndërsa përgjatë viteve festivali përveç shtimit të pjesëmarrjes, sipas organizatorëve, po luan një rol të rëndësishëm jo vetëm në ringjalljen e jetës kulturore në Kosovë, por edhe në shkëmbimin kulturor me shumë vende gjithandej botës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG