Franca ndërmori një hap të madh të hënën në luftën kundër pandemisë, duke kërkuar që njerëzit të tregojnë një çertifikatë të posaçme shëndetësore para se të hyjnë në restorante dhe të udhëtojnë në të gjithë vendin.
Masa është pjesë e një plani të qeverisë për të inkurajuar njerëzit që të bëjnë vaksinën kundër COVID-19, për të ngadalësuar përhapjen e infeksioneve. Shumica e rasteve të koronavirusit në Francë tani janë ato me variantin shumë më ngjitës të deltës. Mbi 36 milionë njerëz në Francë, ose më shumë se 54% e popullsisë, janë plotësisht të vaksinuar.
Çertifikata e posaçme shëndetësore u jepet personave që kanë bërë vaksinën kundër COVID-19, atyre që kanë dëshmi se janë shëruar së fundmi nga virusi, ose kanë një test negativ për koronavirusin. Masa vlen edhe për turistët që vizitojnë Francën.
Në spitale, vizitorëve dhe pacientëve u kërkohet të kenë çertifikatën e posaçme shëndetësore. Përjashtimet bëhen për njerëzit që kanë nevojë për kujdes shëndetësor urgjent në repartet e urgjencës.
Çertifikata tani kërkohet në trenat me shpejtësi të lartë dhe trenat e tjerë në mbarë vendin, që përdoren nga mbi 400,000 pasagjerë në ditë, tha të hënën Ministri francez i Transportit, Jean-Baptiste Djebbari. Ajo kërkohet edhe në udhëtimet në distanca të gjata me avion ose autobus.
"Ne do të zbatojmë kontrolle masive", tha ministri Djebbari.
Dy format e çertifikatës, ajo prej letre dhe ajo dixhitale do të pranohen nga autoritetet.
Ndërkohë, klubi i futbollit Paris Saint-Germain (PSG) do të lejohet të ketë tifozë në stadium në ndeshjen e tij të parë të kampionatit kundër Strasburgut të shtunën. PSG tha se prefektura e Parisit ka miratuar praninë e 49,700 tifozëve në stadiumin “Parc des Princes”. Tifozët do duhet të tregojnë çertifikatat para se të hyjnë në stadium.
Sondazhet tregojnë se shumica e francezëve mbështesin masën për çertifikatat shëndetësore. Por masa ka nxitur kundërshtim të fortë nga disa njerëz që thonë se ajo shkel liritë e tyre, duke kufizuar lëvizjen dhe aktivitetet e përditshme jashtë shtëpisë.
Të shtunën, mijëra njerëz marshuan në Paris dhe qytete të tjera franceze në fundjavën e katërt radhazi të protestave kundër masave kufizuese.
Çertifikata filloi të kërkohej që në muajin e kaluar për qendrat kulturore dhe argëtuese, përfshirë kinematë, sallat e koncerteve dhe sallat sportive.
Ligji gjithashtu kërkon që punonjësit francezë të kujdesit shëndetësor të bëjnë vaksinën kundër koronavirusit deri më 15 shtator.
Facebook Forum