Lidhje

Shqipëri, vazhdojnë përpjekjet për shuarjen zjarreve


Nata e kaluar ka krijuar situatën më problematike të tre javëve të fundit nga përhapja e vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore në Shqipëri. Zjarret dolën mbrëmë jashtë kontrollit duke u përhapur në zonën pyjore mbi tunelin e Kalimashit, pjesë e Rrugës së Kombit që lidh Shqipërinë me Kosovën, duke rrezikuar lëvizjen e automjeteve dhe udhëtarëve nëpër këtë aks të rëndësishëm rrugor.

Shqipëri, vazhdojnë përpjekjet për shuarjen zjarreve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:23 0:00

Njësitë zjarrfikëse, të mbështetura nga forcat e ushtrisë punuan gjatë gjithë natës dhe, në orët e mëngjesit të ditës së martë arritën të shuanin zjarrin në zonën mbi tunelin e Kalimashit duke mundësuar kalimin e sigurt të automjeteve. Ndërkohë, po ndërhyhet nga toka dhe nga ajri për shuarjen e zjarreve në malin e Rrunjës, një zonë e bashkisë së Kukësit, për të mbrojtur jetët njerëzore dhe banesat e Shëmrisë. Forcave dhe mjeteve zjarrfikëse dhe atyre të ushtrisë, të martën ju bashkuan edhe zjarrfikës nga Kosova si dhe një grup i forcave të sigurisë së Kosovës, që arritën për ndihmë gjatë natës në Kukës me urdhër të Presidentes së Kosovës si dhe ministrit të mbrotjes së Kosovës.

Ministri i mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, i cili ishte të martën në Kalimash, tha se, pas largimit të rrezikut nga tuneli, puna është përqëndruar në zonën e Malit të Runës, ku vatrat e zjarrit, të shfaqura prej më shumë se një javë, tashmë po përparojnë drejt zonave të banuara.

“Gatishmëria është e lartë. Kjo ka bërë që ditën e djeshme të shmanget rreziku dhe tuneli të funksionojë normalisht pa ndaluar asnjë minutë. Sot siç e shikoni situata është shumë më e qetë dhe është vënë nën kontroll. Flakët janë larguar shumë nga tuneli. Kemi trupa të shumta që po punojnë. Tani punohet dhe nga toka.”

Ndërsa drejtori i emergjencave civile të Shqipërisë, Haki Çako tha se në bashkëpunim me forcat e ardhura nga Kosova, po punohet në Malzi të Kukesit për të shmangur zjarret drejt qendrave të banuara.

“Për momentin po operohet në bashkëpunim edhe me forcat e ardhura nga Kosova, të cilët i falenderojmë për gatishmërinë dhe profesionalizmin e tyre. Në njësin administrative Malzi, zjarri është në distancë nga qendrat e banuara dhe po punohet për ta shmangur atë nga qendrat e banuara. Nëse do të jetë e nevojshme sigurisht edhe policia do të hyjë për të bërë evakuimin e banorëve, por shpresojmë që të mos arrijmë në këtë moment.”

Prej më shumë se tre javësh zjarret vazhdojnë të kërcënojnë zona të ndryshme nga jugu në veri të Shqipërisë, përfshirë edhe zonat e banuara si dhe zonat e mbrojtura natyrore. Karaburuni, Llogoraja, disa zona të Korçës, Mirditës dhe Kukësit vazhdojnë të jenë të rrezikuara nga përhapja e zjarreve në sipërfaqet pyjore. Autoritetet pohojnë se pjesa më e madhe e zjarreve janë të qëllimshme dhe se po punojnë për kapjen e autorëve. Në mesditë, policia e shtetit njoftoi se, që nga 25 korriku e deri ditën e sotme, janë arrestuar 15 persona si dhe janë proçeduar penalisht edhe 16 të tjerë, ndërkohë që dy persona janë shpallur në kërkim për zjarrvënie në tokat e tyre ose në sipërfaqet pyjore dhe kullotat.

Në Shqipëri, zjarret po favorizohen jo vetëm nga temperaturat e larta të kësaj vere, por edhe kapacitetet e ulëta që ka prej vitesh vendi, si në mjete zjarrrfikëse ashtu edhe ekipe të specializuara për shuarjen e zjarreve në sipërfaqet pyjore në zonat e largëta malore. Ndërkohë, prej 30 vitesh, kjo pasuri kombëtare, është dëmtuar rëndë jo vetëm nga prerjet e paligjshme, por edhe zjarret thuajse të përvitshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG