Lidhje

Dy gjyqtarë të Teksasit vendosin kundër urdhrit të guvernatorit që ndalon maskat


Në dy vendime të veçanta gjykatat në Teksas u kanë dhënë autoriteteve zyrtare lokale të drejtën të zbatojnë urdhra për mbatjen me detyrim të maskave, në kundërshtim me një urdhër të Guvernatorit Greg Abbott që i ndalon qeveritë lokale të nxjerrin urdhra të tilla.

Të martën një gjykatës në qarkun e Dallasit lëshoi një vendim që bllokon përkohësisht urdhrin e guvernatorit, duke thënë se banorët e Teksasit "janë dhe do të vazhdojnë të dëmtohen nga sjellja e Guvernatorit Abbott".

Gjyqtari Clay Jenkins, shefi ekzekutiv i bordit drejtues të komisionerëve të qarkut, kishte ngritur një padi kundër urdhrit ekzekutiv të zotit Abbott. Zoti Jenkins shkruante në Twitter se do të takohej me zyrtarët e shërbimeve të emergjencës së këtij qarku, në pritje të lëshimit të mërkurën të një urdhri që detyron mbajtjen e maskave.

Po të martën një gjykatë në Bexar, vendosi që ky qark dhe San Antonio, mund të nxjerrin urdhra për mbajtjen e maskave në shkolla publike si dhe në ndërtesa të tjera publike. Pas këtij vendimi zyrtarët e qarkut dhe qytetit lëshuan menjëherë urdhra për vendosjen e maskave.

Vendimet janë pjesë e një numri në rritje të masave të ndërmarra nga zyrtarët lokalë në kundërshtim me urdhrin e Guvernatorit Abbott. Në fillim të kësaj jave administratorët e shkollave publike në Dallas dhe Austin, vendosën gjithashtu urdhra për mbatjen me detyrim të maskave.

Zyra e Guvernatorit Abbott lëshoi një deklaratë duke mbrojtur vendimin e tij. Në deklaratë thuhet se është koha që banorët e Teksasit të vendosin vetë kur bëhet fjala për mbatjen e maskave.

Kundërshtimi në rritje ndaj urdhrit të zotit Abbott vjen ndërsa shteti po përballet me një rritje dramatike të infeksioneve të reja me COVID-19. Sipas shifrave të publikuara nga “The Texas Tribune” bëhet fjalë për 2.7 milionë raste të konfirmuara në 254 qarqe. Shumë spitale në të gjithë shtetin ose janë mbushur plot me pacientë ose i kanë tejkaluar kapacitetet e tyre. Dy spitale të mëdha në Hjuston kanë ngritur çadra për të trajtuar pacientët me koronavirus për shkak të mbipopullimit të tyre.

Guvernatori Abbott u ka bërë thirrje spitaleve në të gjithë shtetin që të shtyjnë të gjitha operacionet me zgjedhje, ose jo urgjente për të përqendruar të gjitha përpjekjet e tyre në trajtimin e numrit në rritje të pacientëve me COVID-19. Ai gjithashtu ka udhëzuar agjencitë shtetërore që të kërkojnë personel mjekësor shtesë nga jashtë këtij shteti.

XS
SM
MD
LG