Lidhje

SHBA pritet të autorizojë dozën e tretë të vaksinës COVID-19 për disa amerikanë


A CSULB student receives a first dose of the Pfizer Covid-19 vaccine during a City of Long Beach Public Health Covid-19 mobile vaccination clinic at the California State University Long Beach (CSULB) campus on August 11, 2021 in Long Beach,…

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) pritet të autorizojë dozën e tretë të një vaksine kundër COVID-19 për njerëzit me sistem imunitar të dobësuar.

Sipas njoftimeve të shtypit, FDA-ja ka të ngjarë ta miratojë sot përdorimin e një dozë të tretë të vaksinës Pfizer ose Moderna. Ndërsa grupi këshillues i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) do të mblidhet të premten për të diskutuar dhënien e injeksioneve përforcuese të vaksinave COVID-19 për individët me sistem imunitar të dobësuar.

Shkencëtarët kanë debatuar nëse duhet të ofrohen doza shtesë të vaksinave COVID-19 për disa njerëz me imunitet të dobësuar, siç janë ata që kanë organe të transplantuara ose pacientët me kancer. Një studim i kohëve të fundit nga Universiteti Johns Hopkins zbuloi se shumë pacientë me organe të transplantuara kishin pak ose aspak mbrojtje antitrupash pasi morën dy doza të plota të një vaksine, por një dozë e tretë rriti nivelin e antitrupave të tyre.

3 deri në 9 milionë amerikanë kanë sistem imunitar të dobësuar, ose për shkak të sëmundjeve, ose për shkak të ilaçeve që marrin.

Në një zhvillim tjetër, CDC-ja po rekomandon që të gjitha gratë shtatzëna të marrin një vaksinë COVID-19. Agjencia e bëri rekomandimin të mërkurën, pasi publikoi të dhëna që treguan se gratë nuk përballen me rrezik të shtuar të abortit pasi marrin të paktën një dozë të vaksinës.

Drejtoresha e CDC-së, Dr Rochelle Walensky tha në një deklaratë me shkrim se "nuk ka qenë kurrë më urgjente sesa tani të shtohen vaksinimet pasi përballemi me variantin Delta shumë të transmetueshëm dhe po shohim raste të rënda nga COVID-19 tek gratë shtatzëna të pavaksinuara." Vetëm 23% e grave shtatëzëna në SHBA kanë marrë të paktën një vaksinë kundër COVID-19.

Kalifornia u bë shteti i parë amerikan të mërkurën që kërkoi nga mësuesit dhe personeli mbështetës i sistemit arsimor, që të vaksinohen kundër COVID-19, ose t’i nënshtroheshin testimit javor.

Guvernatori Gavin Newsom tha se urdhri i ri vlen si për shkollat publike ashtu edhe ato private në të gjithë shtetin më të populluar të vendit, dhe përfshin ndihmësit e mësuesve, shoferët e autobusëve, punonjësit e mencave dhe vullnetarët.

XS
SM
MD
LG