Lidhje

Haiti, qindra viktima nga tërmeti me magnitudë 7.2


Të paktën 227 viktima dhe qindra të zhdukur e të plagosur. Është ky bilanci tragjik pasi një tërmet me magnitudë 7.2 ballë goditi Haitin të shtunën, vetëm disa ditë para mbërritjes së pritshme të një stuhie tropikale në atë vend.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 125 kilometra në perëndim të kryeqytetit Port-o-Prins, tha Shërbimi Gjeologjik Amerikan.

Tërmeti me një thellësi rreth 10 kilometra që u ndje në Kubë dhe Xhamjaka është më i madh se tërmeti që goditi Haitin 11 vjet më parë, nga i cili humbën jetën dhjetëra mijëra njerëz.

Shërbimi i Mbrojtjes Civile në Haiti tha se numri i viktimave pritet të rritet, ndërsa kryeministri Ariel Henry shpalli gjendjen e jashtëzakonshme një mujore.

Zoti Henry shkroi në rrjetin social Twitter se "tërmeti i dhunshëm" kishte shkaktuar humbje jete dhe dëme në pjesë të ndryshme të vendit, ndërsa u bëri thirrje haitianëve që të bashkohen për të përballuar këtë situatë dramatike.

Videot e postuara në mediat sociale tregojnë ndërtesa të shembura pranë epiqendrës së termetit dhe njerëz që vrapojnë në rrugë.

Naomi Verneus, një 34-vjeçare nga Port-o-Prinsi, tha se ishte zgjuar nga lëkundjet tërmetit kur ndjeu se shtrati po dridhej.

“U zgjova dhe nuk kisha kohë të vishja këpucët. I mbijetuam tërmetit të vitit 2010 dhe gjithçka mund të bëja ishte të vrapoja. Më vonë u kujtova se dy fëmijët e mi dhe nëna ishin akoma brenda. Fqinji im hyri dhe u tha që të dilnin. Vrapuam në rrugë”, tregon zonja Verneus.

Ky vend i varfër, ku shumë jetojnë në rrethana të vështira, goditet shpesh nga tërmetet dhe uraganet. Në vitin 2018, Haiti u godit nga një tërmet me magnitudë 5.9 ballë që vrau më shumë se 12 njerëz dhe një tërmet shumë më i fuqishëm, me magnitudë 7.1 ballë dëmtoi pjesën më të madhe të kryeqytetit në vitin 2010 dhe u mori jetën mijëra njerëzve.

Qendra Kombëtare e Uraganëve ka parashikuar se stuhia tropikale Grace do të godasë Haitin të hënën në mbrëmje ose të martën herët në mëngjes. Tërmeti i së shtunës vjen më shumë se një muaj pas vrasjes së Presidenti Jovenel Moïse, që e çoi atë vend në kaos politik, ndërsa grupet e ndihmave humanitare thonë se tërmeti do t’i shtojë vuajtjet.

“Jemi të shqetësuar pasi ky tërmet është vetëm një krizë më shumë mbi ato që vendi aktualisht po përballon, përfshirë këtu edhe përkeqësimin e ngërçit politik pas vrasjes së presidentit, pandeminë dhe pasigurinë ushqimore”, tha Jean -Wickens Merone me organizatën bamirëse “World Vision Haiti”.

XS
SM
MD
LG