Lidhje

SHBA thotë se kontrollon aeroportin e Kabulit, ndërsa qyteti bie në duart e talebanëve


Zyrtarët amerikanë, që po mbajnë nën vëzhgim lëvizjen e luftëtarëve talebanë në kryeqytetin afgan të Kabulit thonë se forcat amerikane gëzojnë kontrollonin e ambasadës amerikane dhe aeroportin ndërkombëtar të qytetit, edhe pse diplomati kryesor amerikan e cilësoi situatën si "tejet shqetësuese".

Udhëheqësit talebanë shpallën fitoren të dielën pas një ofensive të rrufeshme, ndërsa forcat e fundit afgane të sigurisë u larguan, duke lënë portat e kryeqytetit të vendit të hapura për forcat kryengritëse.

Por pavarësisht pretendimeve nga talebanët se luftëtarët e tyre kanë marrë nën kontroll pjesë të kryeqytetit, një zyrtar amerikan i tha Zërit të Amerikës se vetë ambasada amerikane, si dhe Aeroporti Ndërkombëtar Hamid Karzai, ishin të sigurta.

"Forcat tona vazhdojnë të kontrollojnë me vendosmëri aeroportin dhe ambasadën", i tha një zyrtar Zërit të Amerikës në kushte anonimiteti.

Megjithatë, duket se SHBA nuk ka ndërmend të garantojë sigurinë e godinës së ambasadës së saj në Kabul për një kohë të gjatë.

Një zyrtar në ambasadë konfirmoi për Zërin e Amerikës se stafi po zhvendoset në një vend të sigurt në aeroport për të ndihmuar në mbikëqyrjen e fluturimeve jashtë vendit dhe për të qenë gati të evakuohen.

Ndërkohë ambasada paralajmëroi gjithashtu se situata e sigurisë po ndryshonte me shpejtësi dhe se qytetarët amerikanë në Kabul duhet të gjejnë një vend të sigurt pas raportimeve se aeroporti po përfshihej nga flaket.

Me herët diplomati i lartë i Shteteve të Bashkuara e cilësoi marrjen nën kontroll të Afganistanit nga grupi Taleban si dhe rënien e pashmangshme në duart e tyre të Kabulit, "si një zhvillim jashtëzakonisht të trishtë". Ai tha se forcat amerikane po punojnë për të nxjerrë prej atij vendi, të gjithë amerikanët si dhe afganët që kanë punuar për Shtetet e Bashkuara.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha të dielën se siguria e personelit amerikan, disa prej të cilëve ndodhen ende në ambasadë, si dhe shtetasve afganë që kanë ndihmuar ushtrinë amerikane, ishte "detyrë parësore". Ai hodhi poshtë kritikat se Uashingtoni nuk ishte i përgatitur për rënien e shpejtë të forcave afgane.

Shtetet e Bashkuara "do të bëjnë gjithçka që munden, për aq kohë sa të munden, për t'i nxjerrë ata (nga Afganistani) nëse kjo është ajo që ata duan", tha zoti Blinken për rrjetin televiziv CNN.

"Ne nuk u kemi kërkuar talebanëve asgjë", shtoi zoti Blinken. "Ne u kemi thënë atyre (talebanëve) se nëse do të ndërhyjnë tek personeli ynë, tek operacionet tona, ndërsa ne po vazhdojmë me tërheqjen, do të marrin një përgjigje të shpejtë e vendimtare", shtoi ai.

Të dielën, një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të situatës, i tha Zërit të Amerikës se evakuimi i ambasadës amerikane në Kabul "është në proces”.

Zyrtari tha gjithashtu se me mijëra trupa të tjerë amerikanë po mbërrijnë në Afganistan dhe se ato e kanë situatën nën "kontroll" si zonën përreth ambasadës ashtu edhe Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai, që ndodhet jashtë Kabulit.

Një tjetër zyrtar i lartë i administratës i tha Zërit të Amerikës të dielën se Presidenti Joe Biden, i cili po i kalon ditët e fundit në Camp David, është përditësuar me zhvillimet e fundit nga Afganistani.

"Presidenti ka folur me anëtarët e ekipit të tij të Sigurisë Kombëtare mbi situatën në Afganistan dhe do të vazhdojë të marrë përditësime dhe të informohet gjatë gjithë ditës", tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.

Të shtunën zoti Biden autorizoi një numër shtesë prej 1.000 trupash që do të shkojnë në Kabul për të ndihmuar në sigurimin e objekteve dhe personelin amerikan si dhe të afganëve që kanë punuar për SHBA-në.

Gjithsej rreth 4,000 trupa amerikane pritet të zbarkojnë në Kabul në ditët e ardhshme, duke forcuar praninë ushtarake atje që ditët e fundit ishte reduktuar në 650 trupa gjithsej.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG