Lidhje

Rifillojnë fluturimet me të evakuuar në aeroportin e Kabulit


Avionët me të evakuuar rifilluan fluturimet nga aeroporti i Kabulit të martën, pas një dite kaotike kur mijëra vetë, ndër ta civilë afganë e diplomatë të huaj ishin mbledhur në aeroport në përpjekje për t’u larguar nga Afganistani.

Stefano Pontecorvo, përfaqësuesi më i lartë civil i NATO-s në Afganistan, postoi një fotografi në Twitter ku shihen aeroplanë të forcave ajrore amerikane, duke komentuar se kishte parë avionë që “mbërrinin e niseshin”.

Ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly tha se avioni i parë me shtetas të evakuuar francezë kishte mbërritur gjatë natës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe se Franca po punon për të organizuar fluturimet e ardhshme.

India ka evakuuar stafin e saj diplomatik dhe personelin e sigurisë nga ambasada në Kabul me një avion special ushtarak.

Ushtria amerikanë konfirmoi, ndërkaq, të paktën dy vdekje në aeroport. Dy persona të armatosur kishin filluar të qëllonin në drejtim të turmës, në dy incidente të veçanta të hënën dhe ishin vrarë nga ushtarë amerikanë, të cilët reaguan ndaj “një situate të rrezikshme” siç e përshkroi incidentin zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Një zyrtar amerikan, i cili bëri komente për Zërin e Amerikës me kusht që të mos identifikohej me emër, tha se po zhvillohen hetime mbi njoftimet për disa të vdekur pasi ishin rrëzuar nga avionët e transportit ushtarak në nisje e sipër.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG