Lidhje

Guvernatori i Teksasit, i prekur me COVID-19


Texas Gov. Greg Abbott speaks to the media during a visit to a Texas Division of Emergency Management Warehouse filled with Personal Protective Equipment, Tuesday, Aug. 4, 2020, in San Antonio. (AP Photo/Eric Gay)

Ndërsa zyrtarët e zonës së Hjustonit thanë se do të paguajnë 100 dollarë për këdo që do të marr dozën e parë të vaksinës COVID -19, Guvernatori i Teksasit Greg Abbott rezultoi pozitiv me koronavirus.

Zoti Abbott, një republikan i cili ka kërkuar të bllokojë zyrtarët lokalë në shtetin e tij që të kërkojnë përdorimin e maskave, është plotësisht i vaksinuar dhe nuk po përjeton simptoma, tha në një deklaratë zyra e tij të martën. Aty thuhej gjithashtu se ai është izoluar dhe po merr një trajtim me antitrupa monoklonalë.

Spitalet në zonë pritet që këtë javë të tejkalojnë shifrat rekordë për nga numri i pacientëve të shtruar me COVID-19.

Gjyqtarja e Qarkut Harris, Lina Hidalgo, zyrtarja më e lartë e zgjedhur në qarkun që përfshin Hjustonin, u bëri thirrje banorëve që të përfitojnë nga stimulimi prej 100 dollarësh, të cilin ajo tha se do të vazhdojë të paktën deri më 31 gusht.

"Ne duhet të shtojmë vaksinimet, mjaft më!" tha ajonë një konferencë për shtyp.

Zonja Hidalgo tha se programi i qarkut Harris kishte 2.3 milionë dollarë në dispozicion dhe po financohej nga fonde të mara nga Plani Amerikan i Shpëtimit. Administrata e Presidentit Joe Biden u kërkoi në korrik qeverive vendore të bëjnë pagesa të tilla në një përpjekje për të rritur normat e vaksinimit në të gjithë vendin.

Varianti shumë ngjitës Delta vazhdon të përhapet në Teksas dhe shtete të tjera me nivele të ulëta të vaksinimeve.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar më shumë se 37 milionë raste të COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.

Sipas të dhënave nga Departamenti Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, Florida ka nivelin e saj më të lartë të pacientëve me COVID-19 në spitale, me 16,832 pacientë të shtruar.

Përhapja e variantit Delta tashmë po shkakton probleme me planet për vitin e ri shkollor në disa prej shteteve që janë goditur më rëndë nga ai.

Në Tampa të Floridas, gati 5,600 nxënës dhe mbi 300 punonjës të një shkolle u vunë në izolim ose karantinë të martën për shkak të infektimit apo ekspozimit ndaj COVID-19.

Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, një republikan, ka ndaluar mbajtjen e maskave në shkolla, megjithëse disa zyrtarë kanë kundërshtuar urdhrin e tij dhe kanë kërkuar që maskat të mbahen brenda shkollave.

XS
SM
MD
LG