Edhe dy humbje jetësh të pacientëve, të paktën 522 infektime të reja me Covid-19 mes qytetarëve u zbuluan të enjten.
Prej një jave një deri 3 vdekje janë bërë të përditshme, ndërsa infektimet po shtohen me ritme të shpejta.
Sa më shumë shtohen testimet aq më shumë po shtohen edhe rastet e reja të zbuluara me Covid-19.
Testimet ditore janë shtuar deri në 6 mijë e 660 të enjten, nga mbi 5 mijë e 135 dy ditë më parë, dhe numrat e të prekurve po shtohen.
Pacientë aktivë të prekur nga koronavirusi janë 4 mijë e 204 vetë, ndërsa në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor 59 pacientë.
Qytetarët e infektuar rishtas janë shumica nga Tirana 193 vetë, Shkodra me 75 vetë, Durrësi me 22 raste, më pak raste janë në Vlorë, Sarandë, duke vazhduar edhe në 39 qytete të tjera thuajse në të gjithë territorin e Shqipërinë.
Numri i të prekurve gjatë 18 muajve është 137 mijë e 597 vetë, ndërsa humbën jetën 2 mijë e 473 persona nga koronavirusi prej marsit 2020, kur nisi pandemia.
Vaksinimi i popullatës vazhdon dhe gushti është muaji i hapur për vaksinimit anti-COVID për qytetarët mbi 18 vjeç.
Autoritetet reduktuan në minimum masat mbrojtëse ndaj Covid-19, madje kanë nxitur një sezon të gjallë turistik dhe qarkullim të shtuar të udhëtarëve nga brenda dhe jashtë vendit.
Shifrat e fundit tregojnë një përshkallëzim në rritje të përhapjes së epidemisë, ndërsa varianti Delta i Covid-19 po qarkullon gjerësisht në vend.
Facebook Forum