Lidhje

Shqipëri, 658 raste të reja me Covid, niveli më i lartë prej 21 marsit


Në Shqipëri, rastet e reja me Covid 19 shënuan një kërcim të shtunën, me 658 të infektuar, niveli më i lartë që prej 21 marsit. Të dhënat e ministrisë së Shëndetësisë dëshmojnë një përhapje të gjerë thuajse në të gjithë vendin, në të paktën 43 nga 63 bashki: 217 raste në Tiranë, 98 në Shkodër, 51 në Vlorë, 38 në Durrës, nga 20 raste në Kavajë, Sarandë, 18 në Lezhë, 17 në Vau i Dejës, nga 16 raste në Krujë, Lushnje, Elbasan, nga 15 raste në Kamëz, Fier, 12 në Gjirokastër, 9 në Malësi e Madhe, nga 7 raste në Mat, Pogradec, Kuçovë, nga 5 raste në Kurbin, Berat, nga 4 raste në Dibër, Roskovec, Tepelenë, Poliçan, nga 3 raste në Kukës, Konispol, Memaliaj, Korçë, nga 2 raste në Tropojë, Rrogozhinë, Divjakë, Mallakastër, Cerrik, Peqin, nga 1 rast në Mirditë, Patos, Selenicë, Himarë, Delvinë, Skrapar, Belsh, Gramsh, Librazhd.

Autoritetet kanë shpjeguar se shtimi i rasteve është pasojë e qarkullimit të dendur të variantit Delta. Në total, deri tani, përgjatë muajit gusht numri i të infektuarve rishtazi ka kapur kuotën e 5667 rasteve, një shifër gati e barabartë me të prekurit e rregjistruar përgjatë gjithë muajit prill, ose thuajse sa trefishi i muajve maj-qershor-korrik të marrë së bashku.

Numri i viktimave mbetet i ulët dhe është i ngjashëm me atë të mesit të muajit maj, por ajo që vihet re është fakti se pas një periudhe të gjatë pa jetë të humbura, prej 9 ditësh me radhë po rregjistrohen të vdekur. Në total deri më tani janë rregjistruar 20 viktima gjatë gushtit. Në 24 orët e fundit, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë ndërruar jetë 2 persona: një qytetar 64 vjeç nga Tirana dhe një qytetar 84 vjeç nga Durrësi.

Në rritje progresive ka ardhur dhe numri i pacientëve të cilët kërkojnë trajtim të specializuar në spital. Të dhënat e dotës së shtunë flasin për 73 të shtruar, kuota më e lartë që prej 19 majit.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende asnjë sinjal se synojnë të ndërhyjnë për të shtrënguar masat kufizuese, ndërkohë që ato që janë në fuqi haptazi shpërfillen, jo vetëm nga qytetarët por dhe nga institucionet e ngarkuara për respektimin e tyre. Thirrjet e tyre janë përqëndruar më së shumti në kryerjen e vaksinimit. Gushti është muai i hapur për vaksinimin e të gjithë atyre që janë mbi 18 vjeç.

Të dhënat zyrtare për vaksinimin i përkasin datës 18 gusht. Në total llogariten 1.340.339 doza të vaksinës ndaj COVID19. Shifrat e përpunuara nga Zëri i Amerikës dëshmojnë se 35.4 përqind e popullisë mbi 18 vjeç rezulton të ketë marrë të paktën një dozë, prej të cilëve, 25.9 përqind, ose mbi 575 mijë persona i kanë marrë të dyja dozat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG