Lidhje

Ushtria britanike: 7 të vrarë nga kaosi në aeroportin e Kabulit 


Shtatë persona u vranë pranë aeroportit të Kabulit të shtunën ndërsa mijëra njerëz u mblodhën në një përpjekje të dëshpëruar për të lënë vendin ndërsa talebanët marrin kontrollin, tha të dielën Ministria Britanike e Mbrojtjes.

Pas një ofensive 10 ditore, talebanët u futën në kryeqytetin e Afganistanit me 15 gusht.

Qysh atëherë, në aeroport ka mbretëruar kaosi ndërsa mijëra njerëz përpiqen të largohen nga vendi, nga frika e rikthimi të sundimit të ashpër të ligjit islamik të 20 viteve më parë kur talebanët kontrollonin vendin.

“Kushtet në terren mbeten jashtëzakonisht sfiduese, por ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të menaxhuar situatën në mënyrë sa më të sigurt” thuhet në një deklaratë nga Ministria britanike e Mbrojtjes.

Temperaturat të shtunën në Kabul arritën 34 gradë Celsius. Agjencia e lajmeve Associated Press raportoi se nuk ishte menjëherë e qartë nëse të vrarët ishin shtypur nga turmat, apo kishin pësuar goditje fatale në zemër.

Një korrespondent i rrjetit televiziv Sky News i cili ishte në aeroportin e Kabulit, tha se dhjetëra mijëra afganë kishin mbushur pistën të shtunën ndërsa pjesa që ndodheshin pranë barakidave ishte shtypur nga dyndja e madhe e njerëzve.

Po ashtu të shtunën, qytetarët amerikanë në Afganistan që kërkonin të largoheshin nga vendi u këshilluan që të mos shkonin në aeroportin e Kabulit nëse nuk kishin marrë "udhëzime individuale nga një përfaqësues i qeverisë amerikane për ta bërë një gjë të tillë".

Udhëzimi nga ambasada amerikane në Afganistan duket se shtoi konfuzion dhe panik ndërsa mijëra njerëz që kanë rrethuar aeroportin e Kabulit po përpiqen të largohen nga vendi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG