Lidhje

Andrew Cuomo dorëzon detyrën si guvernator i Nju Jorkut


Andrew Cuomo është në ditën e tij të fundit si guvernator i Nju Jorkut të hënën. Sonte në mesnatë pushteti do t’i transferohet zëvendës guvernatores Kathy Hochul, e cila do të bëhet gurnatorja e parë grua e Nju Jorkut.

Demokrati Cuomo, e përfundon mandatin pothuajse dy javë pasi njoftoi se do të jepte dorëheqjen në vend që të përballej me një betejë të mundshme shkarkimi pas akuzave për ngacmimit seksual.

Ndryshimi në udhëheqje ndodh pas stuhisë tropikale Henri, e cila nuk ishte aq e fuqishme sa ç’pritej, megjithatë solli reshje të rrezikshme shiu në Nju Jork.

Zoti Cuomo u shfaq shkurtimisht në publik para fundjavës për të paralajmëruar për pasojat e stuhisë.

Zonja Hochul, e cila po ashtu është demokrate, do të trashëgojë sfida të mëdha ndërsa merr përsipër një administratë që përballet me kritika për mosveprim në muajt e fundit, me vëmendjen e përqendruar tek problemet e zotit Cuomo.

COVID-19 vazhdon me ritme të larta. Shkollat rihapen në javët e ardhshme dhe pritet të merren vendime të rëndësishme nëse do të kërkohen maska për studentët, ose vaksinimi për mësuesit. Shteti nuk e është rimëkëmbur plotësisht ekonomikisht nga pandemia.

Dorëheqja e zotit Cuomo vjen pasi një hetim i pavarur i Prokurores së Përgjithshme të Shtetit Letitia James arriti në përfundimin se kishte prova të besueshme, që ai kishte ngacmuar seksualisht të paktën 11 gra, përfshirë një këshilltare, që tha se ai e kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme dhe që atëherë ka paraqitur një padi në zyrën e Sherifit të Qarkut Albany.

Hetuesit thanë gjithashtu se ndihmësit kryesorë të zotit Cuomo u hakmorën ndaj të paktën njërës prej grave dhe ndërmorrën hapa për të minuar besueshmërinë e të tjerëve.

Zoti Cuomo këmbëngul se nuk ka prekur askënd në mënyrë të papërshtatshme dhe i quajti akuzat "të padrejta" dhe "të pavërteta", por tha se nuk do ta detyronte shtetin të përballej me një proces shkarkimi që nuk mund ta fitonte.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG