Lidhje

Shqipëria, rastet e reja me Covid  në rritje, masat shtrënguese nuk ndryshojnë


Në Shqipëri, pavarësisht rritjes së ndejshme të rasteve të reja me Covid 19, autoritetet shëndetësore deklaruan sot se masat shtrënguese nuk do të shtohen. “Niveli i masave që kemi në fuqi, i përgjigjet mirë situatës. Problem është zbatimi i tyre. Mendimi i ekspertëve të Komitetit Teknik është që situata mund të kontrollohet duke mbajtur të njejtin nivel masash, por duke i zbatuar ato me përgjegjshmëri dhe rigorozitet. Si dhe duke intensifikuar procesin e vaksinimit”, u shpreh drejtuesja e Komitetit të ekspertëve Mira Rakacolli.

Për të rritur numrin e të vaksinuarve është vendosur që dhe muaji shtator të jetë i hapur për të gjithë moshat mbi 18 vjeç që duan të vaksinohen.

Numri i rasteve të reja ka pësuar një rritje progresive duke kapur në dy ditët e fundit kuotat e mbi 800 të infektuarve. Në 24 orët e fundit janë rregjistruar 844 të prekur në 49 nga 63 bashkitë e vendit: 246 raste në Tiranë, 119 në Shkodër, 41 në Durrës, 37 në Vlorë, 35 në Lezhë, nga 29 raste në Kavajë, Krujë, 26 në Sarandë, nga 23 raste në Vau i Dejës, Fier, 21 në Elbasan, nga 20 raste në Berat, Kamëz, 19 në Kurbin, nga 18 raste në Malësi e Madhe, Lushnje, 11 në Kukës, 10 në Kuçovë, 8 në Gramsh, 6 në Vorë, nga 5 raste në Rrogozhinë, Divjakë, Gjirokastër, Pogradec, Peqin, nga 4 raste në Librazhd, Belsh, Kolonjë, Korçë, Selenicë, nga 3 raste në Shijak, Dibër, Patos, Himarë, Maliq, Cerrik, nga 2 raste në Poliçan, Dimal, Devoll, Këlcyrë, Libohovë, Mallakastër, Mat, Has, nga 1 rast në Mirditë, Klos, Delvinë, Përmet, Memaliaj, Skrapar.

Rastet e reja kanë arritur nivele ditore të parregjistruara që nga fillimi i marsit. Megjithatë në ndryshim nga ajo periudhë, numri i të shtruarve në spitale është ndjeshëm më i ulët, sikundër dhe viktimat. Në 24 orët e fundit u njoftuan tre të vdekur: një qytetar 20 vjeç nga Korça me sëmundje bashkëshoqëruese, një qytetar 69 vjeç nga Shkodra dhe një qytetar 81 vjeç nga Vlora. Ndërsa në spitalin Infektiv rezultojnë të shtruar 91 pacientë.

Sipas drejtueses së Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino rastet e reja në pjesën dërrmuese i përkasin personave të pavaksinuar. “Rastet e vaksinuara me një dozë janë 12 herë më pak se rastet e pavaksinuara. Kurse rastet e vaksinuara me dy doza janë 32 herë më pak se sa rastet e pavaksinuara. Kjo tregon një efekt mjaf të rëndësishëm të programit të vaksinimit dhe një vlerë tepër të rëndësishme të tij”, deklaroi zonja Bino.

Ndërsa në grupmoshat 35 vjeç deri në 64 vjeç ka një rritje me një numër të konsiderueshëm të rasteve të reja, në spital mbizotërojnë pacientë të moshës së tretë dhe mbi 80 vjeç. Sipas anëtarit të Komitetit Teknik Dhimitër Kraja “40 përqind janë forma të mesme serioze, ose me ndërlikim, ose në subjekte që kanë probleme që rëndojnë situatën shëndetësore. Rreth 30 përqind janë forma të rënda dhe pjesa tjetër ndahet në forma kritike ose forma me ndërlikime të rrezikshme për jetën”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG