Lidhje

Arrin në 13 numri i trupave amerikane të vrara nga shpërthimet në Kabul


Volunteers and medical staff bring an injured man for treatment after two powerful explosions outside the airport in Kabul on Aug. 26, 2021.
Volunteers and medical staff bring an injured man for treatment after two powerful explosions outside the airport in Kabul on Aug. 26, 2021.

Gjenerali amerikan Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore Amerikane, konfirmoi të enjten se dy autorë sulmesh vetëvrasëse, që besohet të jenë anëtarë të Shtetit Islamik kryen sulme në aeroportin e Kabulit që vranë 12 trupa amerikane dhe plagosën 15 të tjerë. Më pas Pentagoni konfirmoi se ky numër është rritur në 13.

Të paktën 60 afganë u vranë dhe 143 të tjerë u plagosën, sipas një zyrtari afgan, i cili foli në kushte anonimiteti me agjencinë Associated Press.

Më vonë të enjten, Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, njoftoi agjencia e lajmeve e grupit në kanalin e tij Telegram.

Presidenti Joe Biden pritet të flasë të enjten në mbrëmje.

Gjenerali McKenzie tha në një konferencë për shtyp në Pentagon se shpërthimet u pasuan nga një përleshje me armë dhe se, ndërsa ushtria është e trishtuar për humbjen e ushtarëve amerikanë, evakuimet nga Afganistani po vazhdojnë. Ai tha se rreth 1.000 qytetarë amerikanë vlerësohet të jenë ende në Afganistan.

Harta e aeroportit të Kabulit në Afganistan, që tregon vendndodhjen e dy shpërthimeve
Harta e aeroportit të Kabulit në Afganistan, që tregon vendndodhjen e dy shpërthimeve

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin u përcolli ngushëllimet dhe keqardhjen e tij familjeve të trupave amerikanë të vrarë, si dhe atyre të plagosur.

“Terroristët u morën jetën në një moment kur këto trupa po përpiqeshin të shpëtonin jetët e të tjerëve,” tha zoti Lloyd përmes një deklarate.

Ai u zotua se ky akt nuk do ta dekurajonte ushtrinë amerikane në përmbushjen e misionit të saj:

“Sepse po të bëjmë më pak se aq, sidomos tani, do të ishte një akt që përdhos sakrificën dhe dedikimin që këto burra e gra kanë bërë për atdheun tonë dhe popullin e Afganistanit,” thoshte shefi amerikan i Pentagonit në deklaratën e tij.

Kabul Blast
Kabul Blast

Ka patur të paktën dy shpërthime pranë aeroportit të Kabulit të enjten mes një përpjekjeje madhore dhe kaotike të evakuimit nga Afganistani, tha Pentagoni, me civilë dhe anëtarë të forcave ushtarake amerikane në mesin e viktimave të asaj që u përshkrua si një "sulm kompleks"

Zyrtarët amerikanë thanë se ishin të shqetësuar se mund të ndodhnin sulme të tjera në aeroport pas dy shpërthimeve të enjten.

Një spital kirurgjik i drejtuar nga një organizatë bamirëse italiane tha se po trajtonte më shumë se 60 të plagosur. Sulmet ndodhin pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët i kërkuan afganëve të largoheshin nga zona për shkak të një kërcënimi nga militantët e Shtetit Islamik.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se një shpërthim ndodhi pranë Hyrjes Abbey të aeroportit dhe tjetri afër Hotelit Baron aty pranë. Dy zyrtarë amerikanë thanë se të paktën një nga sulmet duket se ishte shpërthim vetëvrasëse.

"Ne mund të konfirmojmë se shpërthimi në Hyrjen Abbey ishte rezultat i një sulmi kompleks që rezultoi në një numër viktimash amerikane dhe civile," tha zoti Kirby në Twitter. "Ne gjithashtu mund të konfirmojmë të paktën një shpërthim tjetër në ose pranë Hotelit Baron, në një distancë të shkurtër nga Hyrja Abbey në aeroport."

Ambasada amerikane në Kabul tha se kishte ndodhur "një shpërthim i madh" dhe se kishte pasur njoftime për të shtëna me armë.

Një burim i cili ishte në kontakt me një dëshmitar përmes mesazheve me tekst e citoi atë dëshmitar të ketë thënë se ka pasur dy sulme të ndara por të njëkohshme, një nga një vetvrasës pranë autobusëve të rreshtuar jashtë Hyrjes Abbey, ku shpërthimi u pasua nga zjarri i armëve.

Shpërthimi i dytë ndodhi në Hotelin Baron aty pranë. Burimi, duke folur në kushte anonimiteti, citoi dëshmitarin të ketë thënë se mes viktimave ka edhe fëmijë.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Joe Biden është informuar lidhur me shpërthimet. Sipas një burimi të njohur me çështjen Presidenti Biden ishte në një takim me zyrtarët e sigurisë në lidhje me situatën në Afganistan, ku Shtetet e Bashkuara janë në hapat e fundit për t'i dhënë fund luftës së saj 20-vjeçare, kur shpërthimi u raportua për herë të parë.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë në garë për të kryer evakuimin ajror para se ushtria e saj të tërhiqet plotësisht nga vendi më 31 gusht.

Në një paralajmërim të lëshuar të mërkurën, Ambasada Amerikane në Kabul kishte këshilluar qytetarët që të shmangnin udhëtimet në aeroport dhe tha se ata që tashmë janë në hyrje duhet të largohen menjëherë, duke cituar "kërcënime të paspecifikuara të sigurisë".

Një diplomat perëndimor në Kabul tha se zonat jashtë portave të aeroportit ishin "tepër të mbushura me njerëz" pavarësisht paralajmërimeve.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë bërë një nga evakuimet më të mëdha ajrore në histori, duke nxjerrë rreth 95,700 njerëz, përfshirë 13,400 të mërkurën, tha të enjten Shtëpia e Bardhë.

Shpërthimet ndodhin ndërsa vendet perëndimore po përpiqen të evakuojnë njerëzit pas marrjes së Afganistanit nga talebanët.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s Jen Stoltenberg i dënoi dy shpërthimet në aeroportin e Kabulit si një "sulm të tmerrshëm terrorist" që kishte në shënjestër afganët e dëshpëruar që përpiqeshin të largoheshin nga vendi dhe përpjekjet e aleancës për t'i evakuuar ata nga Afganistani.

Jens Stoltenberg tha në Twitter pas shpërthimeve të enjten: “Unë dënoj me forcë sulmin e tmerrshëm terrorist jashtë aeroportit të Kabulit. Ngushëllimet e mia për të gjithë të prekurit dhe të dashurit e tyre. Prioriteti ynë mbetet të evakuojmë sa më shumë njerëz sa më shpejt të jetë e mundur".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG