Lidhje

Shtyhet me një ditë takimi i Presidentit Biden me kryeministrin izraelit


Shtëpia e Bardhë njoftoi se takimi dypalësh i Presidentit Biden me Kryeministrin izraelit Naftali Bennett do të mbahet të premten.

Takimi mes dy udhëheqësve ishte parashikuar të mbahej sot (e enjte), por duket se zhvillimet e fundit në Afganistan janë bërë shkak për shtyrjen e tij me një ditë.

Biden-Bennett pritet të zhvillojnë bisedime mbi Iranin, çështje të sigurisë dhe pandeminë e koronavirusit.

Kjo është hera e parë që dy udhëheqësit takohen personalisht që kur zoti Bennett mori detyrën e kryeministrit në qershor.

"Ky do të jetë një rast për kryeministrin që të dëgjojë drejtpërdrejt nga presidenti angazhimin e tij të fortë për sigurinë dhe të drejtën e Izraelit për t'u vetëmbrojtur, si dhe mbështetjen për nevojat e Izraelit në fushën e mbrojtjes" u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës Biden para takimit.

Zyrtari tha se tërheqja përfundimtare së shpejti e ushtrisë amerikane nga Afganistani do të çlirojë më shumë burime dhe vëmendje për përparësi të tjera, përfshirë marrëdhëniet me Izraelin. Bisedimet do të përqëndrohen tek Irani, programi i tij bërthamor, si dhe ato që zyrtari i quajti "aktivitete destabilizuese të këtij vendi në rajon".

"Programi bërthamor i Iranit po përshpejtohet nga java në javë. Ky është një problem shumë serioz dhe të dy udhëheqësit, do të kenë mundësinë të ulen së bashku e të diskutojnë se çfarë të bëjnë në lidhje me të", tha zyrtari amerikan.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar disa raunde bisedimesh indirekte me synimin për t'u bërë sërish pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare të vitit 2015, e cila kufizonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Marrëveshja u arrit mes shqetësimeve se Irani po punonte për të prodhuar armë bërthamore, akuza që Teherani i ka hedhur poshtë.

Në vitin 2018 ish-Presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja, çka bëri që Irani të heqë dorë nga angazhimet e tij në kuadër të saj, duke rritur rezervat e uraniumit të pasuruar.

"Do t'i them Presidentit Biden se është koha për t'i ndaluar iranianët e për të mos u dhënë atyre një litar shpëtimi në formën e rikthimit në një marrëveshje bërthamore të skaduar", tha zoti Bennett të dielën.

XS
SM
MD
LG