Lidhje

OKB, NATO dhe BE dënojnë sulmin në Kabul


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres dënoi sulmet vdekjeprurëse të së enjtes në aeroportin e kryeqytetit afgan të Kabulit, tha zëdhënësi të OKB-së Stephane Dujarric.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, të paktën 73 persona u vranë - 60 afganë dhe 13 pjesëtarë të ushtrisë amerikane, në atë që Guterres e quajti një sulm "terrorist".

Dujarric u tha gazetarëve se "ky incident nënvizon paqëndrueshmërinë e situatës në Afganistan, por gjithashtu forcon vendosmërinë tonë për të vazhduar ndihmën urgjente në të gjithë vendin në mbështetje të popullit afgan".

Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s Jens Stoltenberg shkroi në Twitter se ai "dënon" ashpër "sulmin e tmerrshëm terrorist" dhe se përparësia e aleancës "mbetet evakuimi i sa më shumë njerëzve sa më shpejt që të jetë e mundur."

Zëdhënësi i talebanëve Suhail Shaheen tha: "Ne e dënojmë me forcë këtë incident të tmerrshëm dhe do të ndërmarrim çdo hap për t'i sjellë fajtorët para drejtësisë".

Filiali i Shtetit Islamik në Afganistan mori përgjegjësinë për sulmin.

Kryeministri britanik Boris Johnson i përshkroi sulmet si "barbare". Ai tha gjithashtu se sulmet nënvizojnë rëndësinë e vazhdimit të evakuimeve "në mënyrë sa më të shpejtë dhe sa më efikase në orët që na kanë mbetur" para afatit të 31 gushtit.

Pas sulmit të parë, ministria britanike e transportit nxorri një udhëzimpër linjat ajrore që të shmangin fluturimin nën 7.620 metra lartësi në hapësirën ajrore të Afganistanit.

Ligjvënësi amerikan Peter Meijer, i cili u kritikua kohët e fundit për një udhëtim "sekret" në Kabul për të parë kaosin në aeroportin ndërkombëtar, e quajti sulmin "një skenar makth nga i cili kishim frikë" në një postim në Twitter të enjten.

Komisioni për Marrëdhënieve me Jashtë i Senatit e quajti sulmin një veprim "frikacakësh".

"Kjo është një krizë humanitare e plotë dhe qeveria jonë duhet të sigurojë aeroportin dhe të evakuojë shumë qytetarë amerikanë dhe afganë të pambrojtur që po përpiqen me dëshpërim të largohen nga vendi," thuhet në një postim të Komisionit të Senatit për Marrdhënie me Jashtë në Twitter.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dënoi "sulmet frikacake dhe çnjerëzore në aeroportin e Kabulit", ndërsa Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel bëri thirrje për vazhdimin e evakuimit të njerëzve nga aeroporti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG