Lidhje

Aktivistja afgane me kritika të forta për Perëndimin


Mahbooba Siraj është një aktiviste e zëshme e të drejtave të grave afgane.

Në një intervistë televizive që mori përhapje virale më 9 gusht, vetëm gjashtë ditë para se talebanët të merrnin Kabulin, zonja Siraj bëri kritika të ashpra në adresë të bashkësisë ndërkombëtare për braktisjen e Afganistanit.

"Udhëheqësve botërorë do t’u thoja: turp t’ju vijë,” tha zonja Siraj në një intervistë me kanalin turk të lajmeve TRT World. "Do t'i them të gjithë botës: turp t’ju vijë për ato që bëtë për Afganistanin. Përse e bëtë këtë gjë?"

"Mos jeni thjesht duke na përdorur ne të gjithëve?" vazhdon ajo. "Mos jemi ndoshta vetëm gurë shahu në duart tuaja? Mos është kështu vallë vërtetë? Nuk e kuptoj. Fakti që ne nuk kemi asnjë shpresë nga ju, më bën të mos dua të komunikoj më me ju".

Më shumë se 10 ditë pas marrjes nën kontroll të Kabulit nga talebanët, zonja Siraj, themeluese e Rrjetit të Grave Afgane, ende ndodhet në Kabul. Edhe sot ajo mbetet po aq kritike për veprimet e administratës Biden për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani. Po ashtu ajo mbetet e shqetësuar për të drejtat e grave nën talebanët.

Pyetjet dhe përgjigjet e mëposhtme janë përmbledhur dhe redaktuar për të sqaruar kontekstin:

Zëri i Amerikës: Si e vlerësoni situatën aktuale?

Mahbooba Siraj: Situata aktuale është shumë e keqe. Arsyeja kryesore është vakumi i pushtetit. Nuk kemi askënd që të qeverisë vendin. Ky vakum autoriteti ka lejuar që kriminelët të dalin në krye. Përveç kësaj, nuk e dimë se çfarë do të sjellë e nesërmja. A do të na vrasin të gjithëve? A do të na fusin në burg? A do të na çnderojnë? Ose ndoshta asnjë nga këto gjëra nuk ndodh dhe gjithçka përfundon mirë e do të na jepet mundësia për të rindërtuar vendin.

Zëri i Amerikës: Si grua që keni qenë në kontakt me aktiviste të tjera, si ndiheni për situatën aktuale?

Mahbooba Siraj: Ne nuk kemi dalë ende në publik. Edhe pse dëgjojmë nga talebanët se mund të rifillojmë jetën normale dhe të kthehemi në punë, sinqerisht, shumica e grave nuk guxojnë. Një numër grash kanë rifilluar punën. Unë jam një prej tyre. Por prej disa muajsh kemi punuar nga shtëpia dhe aktualisht punoj nga shtëpia. Por gratë nuk kanë besim se do të jenë në gjendje të kthehen në punë. Si rezultat, gratë në përgjithësi nuk dalin jashtë, nuk shfaqen në publik, nuk bëjnë pazar, nuk ecin në rrugë.

Zëri i Amerikës: Çfarë doni nga talebanët?

Mahbooba Siraj: Dua t'u them talebanëve, ‘Vëllezër, nëse ne afganët nuk ndihemi të sigurt nën sundimin tuaj, ju nuk do të jeni në gjendje të qeverisni, qoftë përmes një emirati, një republike apo një monarkie. Kur një popullsi prej 35 milionë qytetarësh janë të pakënaqur e nuk ju pëlqejnë, nuk do të jeni në gjendje të qeverisni'.

Zëri i Amerikës: Talibanët thonë se duan të krijojnë një qeveri gjithëpërfshirëse. Sa e mundshme është kjo?

Mahbooba Siraj: Shpresoj që të jetë e realizueshme, sepse të dy, (ish -presidentët Hamid) Karzai dhe Ashraf Ghani nuk arritën të krijojnë një qeveri gjithëpërfshirëse. Ky dështim ishte një nga dobësitë më të mëdha të këtyre dy presidentëve. Ata sollën xhihadistët në qeveritë e tyre, veçanërisht nën Ashraf Ghanin. Asnjë afgan nuk u ndje si pjesë e qeverisë.

Zëri i Amerikës: Cili është mesazhi juaj për bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara?

Mahbooba Siraj: Unë jam absolutisht e pakënaqur me Shtetet e Bashkuara. … Shtetet e Bashkuara na braktisën plotësisht për fat të keq. Ata mund të kenë arsyet e tyre, por këto arsye janë të papranueshme për mua. Nuk janë të pranueshme për askënd. Lexova sot se ka rënë popullariteti i Presidentit Biden. Ai nuk duhet të mendojë se populli amerikan nuk do ta dallojë kur qeveria e tij bën gabime. Ata janë të ndërgjegjshjëm dhe e dinë se ky ishte një gabim i madh. Jo sepse amerikanët tërhoqën forcat, por për mënyrën si u ekzekutua tërheqja. I gjithë procesi u konceptua keq. Prandaj, i bëj thirrje popullit amerikan të mos na harrojë. Ju lutemi na mbani në mendje. Nuk kam asgjë për t’i thënë qeverisë amerikane. Nëse duan të kthehen në Afganistan, mirësevini. Nëse ata nuk duan të kthehen, ky vend do të shndërrohet në një qendër të madhe të terrorizmit global.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG