Lidhje

Pentagoni: Sulmi me dron vrau dy operativë të ISIS-K


Afghan troops fight Isis in Nangahar Province

Duke vepruar me shpejtësi sipas premtimit të Presidentit Joe Biden për t’u kundërpërgjigjur për shpërthimin vdekjeprurës vetëvrasës në aeroportin e Kabulit, ushtria amerikane tha se vrau dy anëtarë të grupit të Shtetit Islamik në Afganistan me një sulm me dron në bastionin lindor të grupit terrorist.

Sulmi i së shtunës sipas orës lokale erdhi ndërsa Shtëpia e Bardhë tha se kishte prova se ISIS-K planifikonte të sulmonte përsëri ndërsa evakuimi i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara nga aeroporti i Kabulit është në ditët e tij të fundit. Presidenti Biden ka caktuar të martën si afatin e tij për përfundimin e tërheqjes.

Presidenti Biden autorizoi sulmin me dron që u urdhërua nga Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, tha një zyrtar i mbrojtjes, duke folur në kushte anonimiteti. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse anëtarët e goditur të ISIS-K ishin përfshirë drejtpërdrejt në sulmin e së enjtes në aeroport. Ushtria amerikane tha fillimisht se një person u vra gjatë sulmit.

"Ishte një mision i vetëm për të asgjësuar këto objektiva dhe ndërsa vlerësimet dhe informacionet dolën me kalimin e kohës, ne ishim në gjendje të pranonim se një tjetër operativ u vra dhe se gjithashtu një tjetër u plagos", tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby në një konferencë të Departamentit të Mbrojtjes të shtunën.

"Ata ishin planifikues dhe bashkëpunëtorë të ISIS-K dhe kjo është arsye e mjaftueshme. Unë nuk do të flas për detaje rreth këtyre individëve dhe se çfarë mund të kenë qënë rolet e tyre specifike", tha zoti Kirby. Ai shtoi se "kemi aftësinë dhe mjetet për të kryer operacione nga larg kundër terrorizmit dhe ne do të mbrohemi".

Zëdhënësi i Pentagonit nuk pranoi të identifikonte të vrarët, por tha se Shtetet e Bashkuara e dinin se kush ishin ata.

Sulmi ajror u ndërmor përtej Afganistanit më pak se 48 orë pas sulmit vdekjeprurës në Kabul që vrau 13 amerikanë dhe 169 afganë, ndërsa kishin mbetur vetëm disa ditë nga tërheqja përfundimtare e Shteteve të Bashkuara pas 20 vitesh lufte. Komanda Qendrore Amerikane tha se besonte se sulmi i saj nuk vrau civilë.

Shpejtësia me të cilën reagoi ushtria amerikane reflekton monitorimin e saj të hollësishëm të Shtetit Islamik dhe përvojën shumëvjeçare në goditjen e ekstremistëve në pjesë të largëta të botës. Por gjithashtu tregon edhe kufijtë e fuqisë amerikane për të eleminuar kërcënimet ekstremiste, që disa besojnë se do të jenë në rritje në Afganistan tani që talebanët janë në pushtet.

Sulmi ajror erdhi pasi Presidenti Biden deklaroi të enjten se autorët e sulmit nuk do të mund të fshiheshin. "Ne do t'ju gjejmë dhe do t'ju bëjmë të paguani", tha Presidenti. Udhëheqësit e Pentagonit u thanë gazetarëve të premten se ishin të përgatitur për çfarëdo lloj kundërpërgjigjeje që urdhëron presidenti.

Presidenti u paralajmërua të premten se pritej një tjetër sulm vdekjeprurës në ditët e fundit të një evakuimi të shpejtë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se ekipi i sigurisë kombëtare të Presidentit Biden dha një vlerësim të zymtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG