Lidhje

Koleksioni i pazakontë i makinave lodër 


Hot Wheels
Hot Wheels

Hapja e një muzeu me objekte të rralla është diçka që pak njerëz kanë mundësi të bëjnë. Bruce Pascal ka koleksionuar gjithë jetën makinat lodër të famshme "Hot Wheels”. Ai ia ka dalë ta shndërojë një pasion të tij të fëmijërisë, në një hobi për rritur, që mund ta ndajë me të tjerët. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ronan Zakaria bisedoi me të.

Koleksioni i pazakontë i makinave lodër
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00

A do ta blinit këtë makinë të vogël prej lodre për një milion dollarë? Ky është çmimi që ky koleksionist i ka vendosur kësaj makine, gjithnjë nëse do të vendosë ta shesë.

"Makina më e rrallë e këtij lloji në botë është ajo ngjyrë rozë, e jashtëzakonshme për plazh, duket si një mikrobuz nga ata të prodhuar në vitin 1969. Është makina më e rrallë e këtij lloji në botë. Nuk e kam për ta shitur, përveçse në rastin që do të më ofroheshin një milion dollarë. Nuk do ta shisja për asnjë qindarkë më pak, e kam prej gati 22 vitesh", thotë koleksionisti Bruce Pascal.

Kjo lodër mund të kushtojë shumë më tepër sesa një makinë e vërtetë. “Hot Wheels” nuk janë lodra të zakonshme, sipas Bruce Pascal, i cili tashmë ka muzeun e tij privat në Gaithersburg të Merilendit, diku në periferi pranë Uashingtonit.

"Unë e quaj atë muzeu i Bregut Lindor, është një ndërtesë e madhe dhe është e mbushur me koleksionet e mia. Por nuk janë vetëm ato siç e vini re, është gjithçka që lidhet me historinë e kompanisë".

Përveç makinave miniaturë dhe modeleve të rralla të këtyre lodrave, në muze gjen postera, çamçakëz, xhel flokësh si dhe një skicë origjinale, se si mund ta ndërtosh vetë një makinë të tillë.

Por në muze mund të gjesh edhe makina e motoçikleta të vërteta.

“Të them të vërtetën ky muze ishte diçka e pabesueshme për mua. Ai është i mbushur me objekte të rralla. Me pëlqen vërtet t'i shoh. Bruce Pascal është ndoshta koleksionisti kryesor në Amerikë, apo edhe në botë do të thoja”, thotë Otty Harun, vizitor.

Makinat lodër në miniaturë “Hot Wheels” kanë qenë ne qarkullim që nga viti 1968. Ato vazhdojnë të jenë të njohura edhe sot, si mes fëmijëve, ashtu edhe koleksionistëve në moshë të rritur.

Zoti Pascal shpjegon se cilat modele kushtojnë më shumë.

"Sa më i rrallë të jetë modeli, ka rëndësi gjendja në cilën ndodhet makina dhe sigurisht, nëse ka një histori nga pas".

Gjatë ditës Bruce Pascal punon si agjent në fushën e pasurive të paluajtshme, por një pjesë të madhe të kohës së tij të lirë ai ia kushton pasionit të tij për “Hot Wheels”. Ai filloi t'i koleksionojë ato kur ishte shtatë vjeç. Aktualisht në muzeun e tij ai ka më shumë se 7,000 objekte të ndryshme, shumica janë modele të rralla të “Hot Wheels”.

XS
SM
MD
LG