Lidhje

Mbi 100 atletë nga Ballkani në përpjekje për të promovuar vlerat turistike


Mbi 100 atletë nga Ballkani në përpjekje për të promovuar vlerat turistike
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:24 0:00

Më shumë se 100 atletë nga rajoni u bashkuan në pikën turistike të Shirokës, në breg të Liqenit të Shkodres, ku morrën pjesë në “Triathlon Labeat 2021”, i cili organizohet nga shoqata e sporteve të ujit.

Organizatori i “Triathlon Labeat”, Kliti Hoti, i tha Zërit të Amerikës se ky sport tre garësh, që përshkon një distancë prej 20 kilometrash, synon afrimin e sportistëve nga vendet të ndryshme të rajonit, në përpjekje për të zhvilluar sportin, por edhe për të promovuar turizmin në liqenin më të madh të Ballkanit.

“Është vit i shtatë që organizohet “Triathlon Labeat”. Është një aktivitet tre garësh, që janë noti, biçikleta dhe dhe vrapi, të cilët janë sportet përfaqësuese të çdo shkodrani. Tani ka marrë përmasa kombëtare dhe, mundem me thane, rajonale sepse kemi nga Mai i Zi, Greqia dhe, jam shumë i lumtur që, vite rradhazi kemi nga Kosova edhe, sigurisht, nga e gjithë Shqipëria”, tha ai.

Sportistët nga rajoni sfiduan kushtet e vështira, të krijuara për shkak të një stuhie që përfshiu Liqenin e Shkodrës dhe bregun e tij përgjatë orëve të natës dhe paradites së sotme. Ata e përfunduan tre garëshin, ku doli fitues i riun nga Prishtina, Albjon Ymeraj.

“Jam shumë i lumtun me fitoren. Para dy viteve kam qenë ketu, por nuk kam mujtë me përfundu në podium. Kam zanë vendin e katërt. Tash fitova. Edhe koha ishte shumë interesante, ashtu si dhe liqeni. Një ekperiencë shumë e mirë. Në Kosovë asht kriju federata dhe tashti do të organizojmë aktivitete të ndryshme. Gjatë verës kemi pasur triathlonin në Liqenin e Batovës, në Prishtinë. Tash po shpresoj me vazhdu edhe me gara ndërkombëtare”.

Atletët nga Kosova dhe Shqipëria, pjesëmarrës në “Triathlon Labeat 2021”, shprehen për vazhdimin e aktiviteteve të përbashkëta sportive si një mundësi për formimin e vlerave sportive, kulturore, por edhe turstike. Notarja shkodrane Liljana Idrizaj po merr pjesë për herë të parë në “Triathlon Labeat”. Ajo thotë se, gara të tilla i bashkojnë sportistët.

“Është mirë që janë këtë aktivitete për të ardhur përfaqësuesit nga trevat tona. Duhet me u ba sa më shumë aktivitete të tilla sepse sporti na bashkon dhe na bën me ken një. Në fakt, jena një”.

Specialisti i turizmit, Gentian Mema thotë se Liqeni i Shkodrës, më i madhi në Ballkan, është një burim dhe potencial i rëndësishëm natyror, që ofron mundësi të shumta për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe turistike me pjesëmarrjen e të gjithë vendeve të rajonit të Ballkanit.

“Triathlon Labeat” ka nisur të organizohet në Liqenin e Shkodrës në vitin 2013 nga shoqata e sporteve të ujit, mbështetur edhe nga Bashkia e Shkodrës. Është një aktivitet sportiv, që bashkon sportistë nga disa vende të rajonit dhe që promovon zhvillimin e turizmit natyror.

XS
SM
MD
LG