Lidhje

Afgano-amerikanë, të shqetësuar për familjet e tyre që jetojnë nën regjimin taleban


Afghanistan Kabul
Afghanistan Kabul

Ndërsa talebanët forcojnë kontrollin e tyre në Afganistan, ata janë zotuar se do të mbrojnë të drejtat e pakicave dhe grave. Por shumë afganë në Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar për mirëqenien e familjeve dhe miqve të tyre dhe të ardhmen e atdheut të tyre.

Afgano-amerikanë, të shqetësuar për familjet e tyre që jetojnë nën regjimin taleban
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00

Mohammad Daad Serweri dhe miqtë e tij po ndjekin me shqetësim zhvillimet në Afganistan.

"Mendoj se kjo nuk është thjeshtë rënie e një regjimi, por e një brezi. Një brez i arsimuar i vajzave dhe djemve që ndërtuan ëndrrat e tyre për një të ardhme më të mirë të Afganistanit me sakrificën dhe ndihmën financiare të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera aleate të Afganistanit", thotë afgano-amerikani Mohammad Daad Serweri.

Ata janë të shqetësuar për familjet dhe miqtë e tyre që tani jetojnë nën regjimin e talebanëve.

“Jo vetëm familja ime, por i gjithë vendi po përballet me të njëjtin problem. Ne nuk mund t'i sjellim familjet tona këtu, dhe problemi tjetër është se ne nuk mund të shkojmë atje", thotë afgano-amerikani Rahman Yamrali.

“Tani për tani, gjithçka është e paqartë. Ata thonë se talebanët janë një grup i unifikuar, por kjo nuk është e vërtetë. Një ditë, njëri fraksion i tyre bën një deklaratë. Të nesërmen një fraksion tjetër bën deklarata të tjera dhe kjo është e rrezikshme", thotë Hamid Hanif.

Afgano-amerikanët me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës nuk janë dakord me mënyrën se si Amerika e menaxhoi tërheqjen nga Afganistani.

Joseph Azam është bashkë-themelues i grupit "Afgano-Amerikanët për Biden-Harris".

"Unë mendoj se kjo është përgjegjësi e Presidentit Biden sepse ai është udhëheqësi i vendit. Kjo është e padiskutueshme. Megjithatë, procesi i tërheqjes filloi nën Presidentin Trump dhe ky debat ishte zhvilluar edhe nën Presidentët Bush dhe Obama", thotë Joseph Azam nga Fondacioni Afgano-Amerikan.

Azam akuzon ish -Presidentin e Afganistanit Ashraf Ghani dhe administratën e tij për paaftësi, korrupsion dhe i mban ata përgjegjës për gjendjen aktuale të vendit.

Të tjerë thonë se fokusi tani duhet të jetë tek mënyra se si do të sundojnë talebanët.

“Unë nuk u besoj pretendimeve të tyre se ata do të respektojnë të drejtat e njeriut dhe të pakicave. Ne tashmë kemi parë shenja se ata nuk po bëjnë atë që po thonë", thekson afgano-amerikani Hamid Hanif.

Disa afgano-amerikanë ende janë me shpresë.

“Talebanët kanë ndryshuar shumë krahasuar me vitet e shkuara. Ditët e fundit, duket se talebanët i dhanë mbrojtje ish-personelit të lartë qeveritar, madje edhe atyre që ishin guvernatorë, komandantë ushtarakë ose ministra”, thotë ish-anëtari i Parlamantit afgan, Bakhtar Amanzai.

Anëtarët e komunitetit afgan po u bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera që të përdorin fuqinë e tyre për t’u siguruar që talebanët të respektojnë të drejtat e njeriut dhe të mbajnë premtimet e tjera.

“Nëse talibanët me të vërtetë duan të sundojnë Afganistanin, ata do të kenë nevojë për mbështetje financiare dhe politike nga bota. Dhe kjo mbështetje duhet të jetë e kushtëzuar, bota mund ta shfrytëzojë këtë për t’u bërë presion talebanëve dhe simpatizantëve të tyre", thotë Mohammad Serweri.

"Ne duhet të respektojmë të drejtat ndërkombëtare të njeriut. Ajo që po ndodh tani është një krizë humanitare. Ne gjithashtu duhet të sigurohemi që qeveria që do të formohet, të jetë gjithëpërfshirëse", thotë aktivisjta afgano-amerikane Freshta Taeb.

Komuniteti afgano-amerikan po i bën thirrje Shtëpisë së Bardhë që të përshpejtojë evakuimin e të gjithë afganëve që kanë aplikuar për Viza Speciale Imigrimi dhe familjeve të tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG