Lidhje

30 vjetori i pavarësisë së Ukrainës


Parlamenti i Ukrainës, Verkhovna Rada, miratoi Aktin e Deklaratës së Pavarësisë së Ukrainës më 24 gusht 1991. Shtetet e Bashkuara e njohën pavarësinë më 25 dhjetor të po atij viti dhe hapi ambasadën në kryeqytetin Kiev. Që nga ajo kohë, nëntë ambasadorë kanë përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në Ukrainë. Në materilain në vazhdim, gazetarja e Zërit të Amerikës Mariia Prus i hedh një vështrim marrëdhënive SHBA-Ukrainë gjatë tre dekadave të fundit.

30 vjetori i pavarësisë së Ukrainës
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:02 0:00

Gjatë fundit të viteve 1990, Ukraina po përjetonte kohë të vështira. Kushtetuta sapo ishte miratuar ndërsa ekonomia e vendit ishte në stanjacion. Steven Pifer sherbeu në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Ukrainë nga viti 1998 deri në vitin 2000. Zoti Pifer foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Në atë kohë, Presidenti Kuchma foli për një politikë me shumë drejtime, ku flitej për angazhimin me Shtetet e Bashkuara, Evropën dhe gjithashtu edhe me Rusinë. Të mos harrojmë se në vitet 1990 Rusia ishte krejt ndryshe. Vladimir Putini nuk ishte president, por ishte Boris Jelcin. Zoti Yeltsin kishte shumë të meta, por ai ishte i qëndrueshëm, për shembull, në mbështetjen dhe njohjen e integritetit territorial të Ukrainës, sovranitetin dhe pavarësinë e saj”.

Zoti Pifer beson se në vitet 1990 populli ukrainas e kuptoi rëndësinë që zëri i tij të dëgjohej- diçka që do të theksohej edhe më shumë vite më vonë, gjatë Revolucionit Portokalli dhe Revolucionit të Dinjitetit 2014.

Presidenti Bill Clinton e vizitoi Kievin tre herë - në 1994, 1995 dhe 2000. Megjithatë, në fillim të viteve 2000, situata ndryshoi, kujton ish -ambasadori amerikan në Ukrainë John Herbst, i cili mbërriti në Kiev në vitin 2003. Dilplomati amerikan foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Marrëdhëniet SHBA-Ukrainë ishin, në përgjithësi, pozitive dhe të ngrohta nga pavarësia deri në fund të viteve 1990, kur shqetësimet për korrupsionin në Ukrainë filluan të errësojnë marrëdhëniet”, thotë për Zërin e Amerikës zoti Herbst.

Gjatë Revolucionit Portokalli të vitit 2004, populli ukrainas protestoi kundër zgjedhjeve presidenciale, për të cilat vëzhguesit ndërkombëtarë raportuan se ishin manipuluar në favor të Presidentit Viktor Janukoviç.

“Detyra ime në atë kohë ishte të parandaloja shtypjen e demonstruesve në rrugë dhe të ndihmoja që Yanukovych të mos shpallej president në bazë të zgjedhjeve të manipuluara. Ne e dimë se u bë një përpjekje serioze për të organizuar një shtypje të demonstratave. Shumica e qeverisë në atë kohë - qeveria e Presidentit Yanukovych - sillej me nder dhe në mënyrën e duhur”, tregon për Zërin e Amerikës zoti Herbst.

Pas Revolucionit Portokalli, Perëndimi ishte i impresionuar me nivelin e demokracisë dhe paqes që shihej në Ukrainë, thotë ish-ambasadori amerikan në Ukrainë William Taylor. Ai foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Mora postin e ambasadorit pasi Presidenti (Viktor) Yushchenko dhe Kryeministrja (Julia) Timoshenko po përpiqeshin të punonin së bashku. Ishte një sfidë për të dy; ishte një kohë interesante! ”

Tre ish-ambasadorët amerikanë në Ukrainë bien dakord se vendi duhet të jetë krenar për arritjet që ka bërë.

“Më kujtohet se kur po largohesha nga Ukraina në vitin 2000, bëra një koment ndoshta pak optimist, se 30 vjet nga tani Ukraina do të jetë një histori e suksesshme”, thotë për Zërin e Amerikës Steven Pifer i cili ka sherbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ukrainë gjatë viteve 1998-2000.

“Ukrainasit janë një popull shumë i gjallë, mikpritës dhe argëtues. Kievi - një qytet i bukur, atëherë dhe tani. Ishte një qeveri, e cila ishte ndoshta më shumë autoritare sesa demokratike në atë kohë. Tani është më demokratike sesa autoritare. Shoqëria civile ishte aktive atëherë dhe tani, megjithëse shoqëria civile është padyshim më e fortë sot”, thotë për Zërin e Amerikës zoti Herbst.

“Ata ishin shumë të organizuar. Mund ta ndjej atë vrull të madh të ukrainasve. Këto ishin disa nga ngjarjet kryesore në Ukrainë”, kujton për Zërin e Amerikës William Taylor i cili ka sherbyer në postin e ambasadorit amerikan në Ukrainë gjatë viteve 2006-2009.

Ndërsa Ukraina vazhdon të konsolidojë pavarësinë e saj, roli i atij vendit në arenën ndërkombëtare pritet të rritet.

XS
SM
MD
LG