Lidhje

Kosovë, partitë opozitare kërkojnë shkurtimin e fushatës për zgjedhjet lokale


LDK
LDK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kërkoi të enjten nga partitë politike në vend shkurtimin e fushatës për zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen me 17 tetor, nga 30 ditë sa parashihet me ligj, në 10 ditë.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, zoti Abdixhiku tha se për shkak të situatës së rënduar me pandeminë COVID-19, partia e tij propozon edhe shmangjen e tubimeve politike, duke u përballur vetëm në debate televizive dhe në forma të tjera dixhitale.

Kosovë, partitë opozitare kërkojnë shkurtimin e fushatës për zgjedhjet lokale
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00

“Kështu, ne jo vetëm që shpëtojmë jetë, jo vetëm që i japim kohë vaksinimit masiv – që duhet të ndodhë – por solidarizohemi njëmend me mijëra mjek e staf shëndetësor që tash e 18 muaj pandalshëm po përballen me sfidën më të madhe njerëzore në 100 vitet e fundit. Në rast të një pajtimi eventual me këtë propozim, sugjeroj ta ftojmë Parlamentin nga pushimi, të aprovojmë një rezolutë në këtë drejtim, e të japim shembull të mirë për vendin”, tha zoti Abdixhiku.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha gjatë një konference për media se si parti mbështesin parimisht shkurtimin e fushatës dhe se janë të hapur për diskutime rreth kësaj çështjeje.

“Në mbledhjen e fundit të kryesisë së partisë sonë kemi diskutuar edhe për këtë çështje dhe ka një mendim se duhet të diskutojmë për të dakorduar një fushatë të shkurtuar. Unë besoj se të gjithë pa dallim duhet ta kenë përparësi shëndetin publik dhe shkurtimi i fushatës duhet të shihet nga ky prizëm”, tha ai.

Ndërkaq kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha përmes rrjeteve sociale se qëndrimi i partisë së tij është që “duke marrë parasysh gjendjen e rëndë me pandeminë, fushata të shkurtohet në vetëm 5 ditë e jo në 10”.

Kosova po përballet me situatë të rëndë shëndetësore për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve nga COVID-19. Vetëm gjatë muajit gusht u regjistruan më shumë se 36 mijë infektime ndërsa 238 veta humbën jetën.

Autoritetet thanë se 32 vetë kanë humbur jetën dhe një mijë e 612 janë konfirmuar si të infektuar me COVID-19, gjatë 24 orëve të fundit. Ndërsa tash për tash janë gjithsej 26 mijë e 524 raste aktive në mbarë vendin.

Partitë opozitare kritikuan qeverinë për siç thanë keqmenaxhim të situatës me pandeminë COVID-19, posaçërisht në fushatën e vaksinimit. Autoritetet njoftuan të mërkurën që kanë hequr nga përdorimi mbi 133 mijë vaksina të prodhuara nga kompania AstraZeneca për shkak të skadimit të afatit.

Kosova ishte e fundit në rajon që filloj vaksinimin e qytetarëve për shkak të mungesës së vaksinave, ndërkaq aktualisht përdorë dy lloj vaksinash kundër COVID-19, të kompanisë Pfizer dhe atë të AstraZenecas.

Autoritetet thanë të mërkuren se aktualisht Kosova ka në shfrytëzim afër 110 mijë doza të vaksinës Pfizer dhe rreth 46 mijë doza AstraZeneca, ndërsa kanë paralajmëruar ardhjen e disa kontigjenteve të vaksinave që janë donacione nga vendet perëndimore.

Deri të enjten në Kosovë mbi 296 mijë qytetarë janë vaksinuar me dy doza të vaksinës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG