Lidhje

Kujtime nga Afganistani; Ish-majori: SHBA qëndroi më shumë se ç’duhej


Në vitin 2002, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, në atë kohë gazetar për Ushtrinë Amerikane, vizitoi Afganistanin në fazat e hershme të pranisë 20-vjeçare të Amerikës në këtë vend. Ndërsa Shtetet e Bashkuara i dhanë fund angazhimit ushtarak, korrespondenti Farabaugh kontaktoi sërish disa nga personat që ai takoi në atë kohë, për të diskutuar rreth tërheqjes së forcave amerikane dhe trashëgimisë së misionit të tyre.

Kujtime nga Afganistani; Ish-majori: SHBA qëndroi më shumë se ç’duhej
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:19 0:00

Vizitën e parë në kryeqytetin e sapoçliruar të Kabulit si korrespondent i Rrjetit të Forcave Amerikane, Kane Farabaugh e filloi duke udhëtuar me automjetin ushtarak të Majorit Patrick Flanagan nga aeroporti i Bagramit.

Udhëtimi dy orësh, me një autokolonë të vogël në një rrugë 60 kilometra të gjatë, i mundësoi Majorit Flanagan të takohej me ushtarë nga vende të tjera, luftëtarë të Aleancës së Veriut dhe afganë që afroheshin me ngurim.

“Më kujtohen udhëtimet e para në Kabul. Vendasit na thonin ‘ju jeni me vrasësit’. Ne u përgjigjeshim se kishim ardhur për të mbrojtur qytetin. Ata thonin ‘keni ardhur për të vrarë al-Kaidën, talebanët, njerëzit e këqinj’,” tregon majori Patrick Flanagan, tashmë në pension.

Realiteti i asaj dite nuk e përmbushi këtë perceptim. Majori u ndal në rrugën e famshme me dyqane të Kabulit, ku objektivi i tij ishte të blinte artikuj të ndryshëm.

“Po blejmë materiale shkollore për t’ua dhënë vendasve në zonën tonë. Do t’ua japim udhëheqësve lokalë që menaxhojnë shkollat për të treguar se kujdesen për njerëzit e tyre dhe mësuesit që punojnë shumë për të mbështetur përpjekjet për arsimin në Afganistan”, thoshte Majori Flanagan në vitin 2002.

Shpërndarja e furnizimeve shkollore, së bashku me pamfleta dhe mesazhe të tjera, ishte pjesë e misionit të degës së operacioneve psikologjike të Ushtrisë Amerikane – PSYOP.

“Është një formë e influencës së ushtrisë. Është si një fushatë marketingu, për shembull, për të shitur Coca-Cola”, tregon zoti Flanagan.

Ai tregonte se qëllimi nuk ishte indoktrinimi, por arsimimi dhe mbrojtja.

“Nuk ka të bëjë me marrje informacioni për ta përdorur ndaj popullsisë, por ka të bëjë me vlerësimin dhe mirëkuptimin e asaj që ata po përjetojnë, në mënyrë që të përdorim tematikat, simbolet dhe mesazhet për t’i ndihmuar ata dhe forcat e koalicionit”, thoshte në atë kohë Majori Flanagan.

“Mos shkelni mbi mina, na njoftoni për predhat e pashpërthyera. Ju e njihni koalicionin; mos i qëlloni me gurë kamionët e tyre. Ose, koalicioni është miqësor. Pra, një seri mesazhesh për t’i bërë të kuptojnë përse ne ishim atje; që të mos i merrnin përgjigjet nga dikush tjetër që nuk na kishte me sy të mirë”, tregon tani zoti Flanagan.

Pjesëza të materialeve të operacioneve psikologjike, gjenden tashmë në bodrumin e tij në Virxhinia; kujtime nga Afganistani ku ai jetoi dhe punoi për dy vjet në mbështetje të një misioni që ai e konsideron sot të papërfunduar.

“Për shkak të disa prej veprimeve tona, nganjëherë i kemi ashpërsuar më tej njerëzit që nuk na donin. Ishte polarizuese, jo për faj të operacioneve tona psikologjike, por ngaqë talebanët u thonin për të mos i pranuar ndihmat dhe sajonin mënyra të reja për të shkaktuar kaos dhe dhimbje”, tregon ai.

Zoti Flanagan doli në pension në vitin 2011 dhe që atëherë ka punuar si kontraktor në Ushtrinë Amerikane. Nëpërmjet të vëllait të tij, ish-Ligjvënësit nga Illinoi, Michael Flanagan, ai pati mundësinë të shkëmbente pikëpamjet për periudhën në Afganistan me ligjvënësit e tjerë dhe hartuesit e politikave.

“Duhet të ishim larguar prej kohësh. Qëndruam më tepër se ç’duhej”, thotë ish-majori.

Zoti Flenagan mendon se Shtetet e Bashkuara arritën objektivin për të shpërbërë operacionet terroriste të Osama bin Ladenit, por humbën në përpjekjet për shtet-formim në Afganistan.

“Duhet të kishim thënë ‘misioni përfundoi; al-Kaida nuk është më?’ dhe të kishim bërë gati largimin e ushtrisë”, thotë ai.

Tashmë që ushtria u largua, zoti Flanagan do të dëshironte një paradë ose një festë për të shënuar kthimin e forcave amerikane në atdhe.

“Vetëm për t’u thënë shumë faleminderit! Për të shënuar fundin dhe më pas të merreshim me kujtimet”, thotë ai.

Zoti Flanagan shpreson t’i shërbejë sërish publikut. Ai po shqyrton mundësitë për të kandiduar për poste politike, në të cilat ai shpreson të shfrytëzojë eksperiencën që fitoi gjatë shërbimit ushtarak në Afganistan, për të hartuar politikat e jashtme në të ardhmen ardh të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG