Lidhje

Kosovë, vaksinimi i komuniteteve pakicë


Dukagjin Sahatçiu, specialist i mjekësisë familjare, çdo ditë nga ora shtatë e mëngjesit e deri në orën 20:00 në mbrëmje, punon për vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19. Përveç vaksinimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare, zoti Sahatçiu kryen edhe vaksinimin mobil aty ku ka nevojë, siç është edhe vaksinimi i komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptiane, në qytetin e Pejës, rreth 80 kilometra larg Prishtinës.

Kosovë: vaksinimi i komuniteteve pakicë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:43 0:00

“Me kërkesë të komunitetit rom, ashkali, egjiptian në komunën e Pejës, të cilën e kanë drejtuar te Komiteti për Imunizim, na është urdhëruar që ta bëjmë një ekip mobil e ta bëjmë imunizimin masiv të popullatës së këtij komuniteti në shkollën fillore “Xhemajl Kada”. Këtu kemi qenë edhe para një muaji me një aksion mirëpo kemi pasur shumë pak njerëz që i janë përgjigjur ftesës”, tha ai në një bisedë me Zërin e Amerikës.

Përfaqësuesi i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në Pejë, Avdyl Berisha nga organizata “Advancing Together”, tha për Zërin e Amerikës se interesimi i këtyre komuniteteve për t’u vaksinuar është shtuar dukshëm ditëve të fundit, kur Kosova po përballet me shifra rekorde të të infektuarve dhe të vdekurve nga pasojat e COVID-19.

“Për mua të gjithë qytetarët janë të barabartë. Ftesën e kam bërë nëpërmjet rrjeteve sociale, në mënyrë individuale dhe nëpërmjet institucioneve. Për mua janë të barabartë komuniteti shumicë me atë pakicë, por përparësi u jap pakicës për shkak të mungesës së përgatitjes shkollore që nuk dinë të aplikojnë online”, tha ai.

Në qytetin e Pejës jetojnë rreth pesë mijë pjesëtarë të këtyre komuniteteve, por nuk ka të dhëna zyrtare se sa prej tyre janë infektuar apo kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19.

Zoti Sahatçiu tha se përfshirja e tyre në procesin e vaksinimit ka rëndësi të madhe për t’u përballur me pandeminë, të cilën e vlerëson si një nga kohërat më sfiduese që kur kishte filluar punën si mjek, rreth 20 vjet më parë.

“Gjithmonë më mirë është ta parandalojmë sesa ta mjekojmë. Më mirë është të pritet në radhë për vaksinim sesa për oksigjen. Kjo është një sfidë shumë e madhe të cilën me të gjitha forcat po përpiqemi ta tejkalojmë, jemi duke u munduar me ekipet tona qe gjashtë muaj me vaksinim masiv të popullatës”, tha ai.

Pjestarë të këtyre komuniteteve i thanë Zërit të Amerikës se janë të kënaqur që po u ofrohet mundësia për t’u vaksinuar.

“Jemi të kënaqur, i kemi dy llojet e vaksinave, nuk ka asnjë problem. Po e shohim që është mirë dhe do t’u bëja thirrje të gjithëve të vaksinohen sepse shpëtojnë jetë”, thotë Valdet Krasniqi.

“Kemi ardhur sot t’i marrim vaksinat, kjo është për të mirën e popullit sepse po ndodhin shumë gjëra të këqija siç jemi duke e parë. Unë i lus të gjithë pa dallime që ta kryejnë këtë obligim sepse kjo është shumë e mirë për shëndetin tonë”, thotë Gazmend Polaca.

Në Kosovë muaji që e lamë pas shënoi një nga periudhat më të rënda të përballjes me pandeminë COVID-19, me 36 mijë e 461 të infektuar dhe 238 të vdekur.

Në përpjekje për ta frenuar zgjerimin e infektimeve autoritetet po vazhdojnë vaksinimin me synimin që deri në fund të vitit të vaksinohen 60 për qind e popullsisë.

Sipas të dhënave nga ministria e Shëndetësisë, deri mesditën e së hënës në Kosovë mbi 313 mijë persona janë vaksinuar me dy doza të vaksinës. Sahatçiu, specialist i mjekësisë familjare, çdo ditë nga ora shtatë e mëngjesit e deri në orën 20:00 në mbrëmje, punon në vaksinimin e qytetarëve për COVID-19.

XS
SM
MD
LG