Lidhje

Presidenti Biden autorizon ndihmën federale për pjesët e përmbytura të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit


Makina dhe kamionë të zhytur në ujë në Bronks të Nju Jorkut (2 shtator 2021)

UASHINGTON - Presidenti amerikan Joe Biden miratoi të hënën shpalljen e fatkeqësive madhore për pjesët më të goditura të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit javën e kaluar nga mbetjet e uraganit Ida, duke mësuar kështu dhënien e ndihmës financiare nga qeveria federale.

Ndihma do të jetë e disponueshme për bizneset dhe individët në gjashtë qarqe të Nju Xhersit dhe pesë në Nju Jork, ku reshjet rekord të shiut frynë lumenjtë, bllokuan sistemet e kullimit dhe kanalizimeve dhe përmbytën shumë rrugë, shtëpi dhe dyqane.

Presidenti Biden planifikon të vizitojë rajonin të martën dhe të vlerësojë dëmin personalisht.

Stuhia vrau të paktën 50 njerëz në gjashtë shtete lindore, përfshirë 27 në Nju Xhersi dhe 13 në Nju Jork, pasi la pas një vazhdë shkatërrimi dhe vrau të paktën 12 të tjerë në shtetin jugor të Luizianës, 2'100 kilometra larg, ku uragani mbërriti fillimisht në breg nga Gjiri i Meksikës.

Në rajonin e mbipopulluar Nju Jork - Nju Xhersi, disa nga viktimat që u mbytën u bllokuan nga uji që ngrihej me shpejtësi në apartamentet e kateve nëntokë, ndërsa të tjerët u tërhoqën në makina ndërsa uji vërshonte nëpër rrugë. Stuhia shkaktoi gjithashtu tornado që dëmtuan shtëpitë dhe bizneset.

Guvernatori i Nju Xhersit, Phil Murphy vizitoi zonat e dëmtuara nga përmbytjet në Lambertville të hënën, në festën kombëtare të Ditës së Punës.

Guvernatori Phil Murphy (djathtas) duke inspektuar dëmet
Guvernatori Phil Murphy (djathtas) duke inspektuar dëmet

Ai tha se deklarata e fatkeqësisë e miratuar nga Presidenti Biden do të lejojë individët të marrin ndihmë financiare, përfshirë para për strehim të përkohshëm dhe riparime shtëpish dhe kredi me kosto të ulët për të mbuluar humbjet e pronës së pasiguruar.

Kryebashkiaku i Jersey City, Steven Fulop tha se dëmi në infrastrukturën e qytetit u vlerësua në 35 milionë dollarë.

Në Nju Jork
Në Nju Jork

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul tha se një vlerësim fillestar tregoi se stuhia dëmtoi më shumë se 1'200 shtëpi në shtetin e saj dhe shkaktoi rreth 50 milionë dollarë dëme në infrastrukturën dhe pronën publike.

Në Luiziana, qindra mijëra njerëz mund të mbeten pa energji elektrike për javë të tëra, pasi ekipet e riparimit përballen me detyrën e frikshme të zgjidhjes së linjave të rrëzuara të energjisë dhe transformatorëve që bllokojnë rrugët.

*Disa materiale në këtë artikull u morën nga agjensitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG