Lidhje

Talebanët emërojnë qeverinë e re të përkohëshme 


Talebanët emëruan Mullah Hasan Akhundin, një bashkëpunëtor i themeluesit të lëvizjes së tyre Mullah Omar, si kreun e qeverisë së re të përkohëshme të Afganistanit të martën dhe Mullah Abdul Ghani Baradarin, kreun e zyrës politike, në postin e zëvendës kryeministrit.

Sarajuddin Haqqani, djali i themeluesit të rrjetit Haqqani, të përfshirë në listën e organizatave terroriste nga Shtetet e Bashkuara, do të jetë ministri i ri i brendshëm, tha zëdhënësi i Talebanëve Zabihullah Mujahid në një konferencë shtypi në Kabul.

Mullah Mohammad Yaqoob, i biri i Mullah Omarit, është emëruar si ministër i mbrojtjes. Të gjitha emërimet janë të përkohëshme, tha zëdhënësi Mujahid në një konferencë shtypi në Kabul.

Nuk ishte e qartë se çfarë roli do të luante në qeveri Mulla Haibatullah Akhundzada, udhëheqësi taleban, i cili nuk është parë apo dëgjuar në publik që nga rënia e qeverisë së mbështetur nga Perëndimi dhe marrja nën kontroll e Kabulit nga talebanët muajin e kaluar.

Emërimi i një grupi figurash me peshë nga elementë të ndryshëm të lëvizjes së ashpër islamike, nuk përçon ndonjë sinjal për lëshime të mundshme ndaj protestave që shpërthyen në Kabul gjatë ditës, kur ektremistët talebanë qëlluan në ajër për t'i shpërndarë ato.

Talebanët janë përpjekur vazhdimisht të sigurojnë afganët dhe vendet e huaja se nuk do t’i rikthehen brutalitetit të regjimit të tyre të dy dekadave më parë, të karakterizuar nga ndëshkimet e dhunshme dhe ndalimi i grave dhe vajzave nga jeta publike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG