Lidhje

Johnson paralajmëron rritje taksash për koston e programeve sociale


Kryeministri britanik Boris Johnson parashtroi të martën planet për të rritur taksat për rrogëtarët, punëdhënësit dhe disa investitorë në përpjekje për të lehtësuar krizën e mungesës së fondeve për kujdesin shëndetësor dhe social, duke zemëruar disa në partinë e tij në pushtet dhe duke thyer një premtim elektoral.

Pas shpenzimeve të mëdha për të luftuar pandeminë e koronavirusit, Kryeministri Johnson po e kthen vëmendjen tek një premtim zgjedhor për të adresuar problemet në sistemin e kujdesit social në Britani, ku kostot parashikohet të dyfishohen ndërsa popullsia do të plaket gjatë dy dekadave të ardhshme.

Ai gjithashtu u përpoq të merrej me problemin e mbingarkesës së sistemit shëndetësor që nuk arrin t’u përgjigjet në kohë pacientëve. Miliona vetë presin muaj të tërë për mjekim nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë, pasi burimet u zhvendosën në betejën kundër COVID-19.

"Do të ishte gabim të thosha se ne mund të paguajmë për këto rregullime pa marrë vendime të vështira por të përgjegjshme për financimin e tyre," tha zoti Johnson para Parlamentit.

"Do të ishte e papërgjegjshme të mbulojmë kostot duke marrë edhe më shumë borxhe,” tha ai, duke folur për rritjen e taksave që përbën shkelje të premtimit të bërë në manifestin e Partisë së tij Konservatore në 2019 për të mos rritur taksat për të financuar kujdesin social.

Politikanët britanikë janë përpjekur për vite me radhë për të gjetur një mënyrë për të mbuluar kostot e kujdesit social, megjithëse kryeministra të njëpasnjëshëm konservatorë, apo laburistë e kanë shmangur këtë çështje pasi kishin frikë se do të zemëronte votuesit dhe partitë e tyre.

Duke mos përfilluar kundërshtitë në partinë e tij, zoti Johnson ofroi hollësi mbi atë që e cilësoi një taksë të re për kujdesin shëndetësor dhe social. Propozimi do të bëjë që norma e taksave për Sigurimet Kombëtare që paguhen nga pagat si nga rrogëtarët, ashtu edhe nga punëdhënësit të rritet me 1.25 pikë përqindje dhe e njëjta rritje do të aplikohet edhe për taksën mbi të ardhurat nga investimet në aksione.

Ai tha se rritja do të sjellë 50 miliardë dollarë gjatë tre vitesh.

Zoti Johnson është përpjekur të zbusë revoltimin brenda partisë së tij, e cila prej dekadash ka bërë fushatë me premtimin për taksa të ulëta. Ligjvënësit konservatorë shqetësohen se rritja mund t'u kushtojë humbje votash në zgjedhjet e planifikuara në 2024. Parlamenti do të debatojë masat e propozuara të mërkurën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG