Lidhje

Virxhinia heq statujën e Gjeneralit Lee nga kryeqyteti Riçmond


Një turmë shpërtheu në brohoritje dhe këngë të mërkurën ndërsa punonjësit hoqën një statujë të madhe të Gjeneralit Robert E. Lee të forcave të Konfederatës. Prej më shumë se një shekulli statuja qëndronte në kryeqytetin Riçmond të shtetit Virxhinia.

Një nga monumentet më të mëdha të Konfederatës në Amerikë, statuja kalorsiake u hoq pak para orës 9 të mëngjesit, ndërsa një turmë prej qindra vetësh brohoriste.

“Kjo pritej të ndodhte prej një kohe të gjatë, pjesë e procesit të shërimit, në mënyrë që Virxhinia të ecë përpara dhe të jetë një shtet mikpritës, gjithëpërfshirës dhe i larmishëm”, tha guvernatori Ralph Northam, i cili ndoqi nga afër heqjen e statujës.

Guvernatori Ralph Northam
Guvernatori Ralph Northam

Demokrati Northam tha se statuja përfaqëson "më shumë se 400 vjet histori për të cilën nuk duhet të jemi krenarë", ndërsa përgëzoi banorët për mbështetjen e heqjes së saj.

Sharon Jennings, një afrikano-amerikane 58 vjeçare e lindur dhe rritur në Riçmond, tha se statuja duhej të hiqej, por ajo ende kishte ndjenja të përziera ndërsa ndiqte heqjen e statujës.

“Është një ditë e mirë por njëkohësisht e trishtë. Nuk ka rëndësi ngjyra e lëkurës, por nëse vërtetë ju pëlqen historia, e di kuptimin që ka pasur kjo rrugë gjatë gjithë jetës tënde dhe je rritur në këtë mënyrë. Por kur plakesh e kupton se statuja duhet hequr”.

Disa njerëz brohorisnin “kjo tashmë është rruga jonë”. Heqja e statujës u shoqërua me një rrëmujë të shkurtër kur një burrë me flamurin “Black Lives Matter” hyri në zonën e rrethuar ku po punohej. Ai i ndalua nga policia dhe u shoqërua ndërsa filloi të grindej me disa njerëz në turmë.

Guvenatori Northam urdhëroi heqjen e statujës verën e kaluar, duke përmendur dhimbjen që ndjente i gjithë vendi për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd në Minneapolis në duart e një polici. Por planet ngecën si rezultat i një procesi gjyqësor. Gjykata e Lartë e Virxhinias hoqi pengesat ligjore javën e kaluar.

Statuja prej bronzi e lartë 6 metra qëndronte mbi një piedestal graniti gati dy herë më të lartë në “Bulevardin Monumenti”, që nga viti 1890. Riçmondi ka qënë kryeqyteti i Konfederatës gjatë Luftës Civile.

Një prani e madhe policore bllokoi rrugët përreth ndërsa ekipi i punonjësve hoqi statujën. Punonjësit e rendit përdorën pajisje të rënda dhe barriera për të mbajtur larg turmën.

Administrata Federale e Aviacionit miratoi kërkesën e shtetit Virxhia për të ndaluar fluturimet me dronë gjatë procesit të heqjes së statujës, që u transmetua drejtpërdrejt në Facebook dhe Twitter nga zyra e guvernatorit.

“Ky është një moment historik për qytetin e Riçmondit. Qyteti, dhe komuniteti në përgjithësi po thonë se ne nuk i pranojmë më në qytetin tonë këto simbole të urrejtjes”, tha banorja 28 vjeçare Rachel Smucker, e cila ndoqi me motrën e saj heqjen e statujës.

Zonja Smucker, e cila është e bardhë, tha se ajo u zhvendos në Riçmond rreth tre vjet më parë. Për të ishte hera e parë që jetonte në jug dhe se ishte shokuar kur kishte parë sheshin ku gjendej statuja.

“Për mua statuja ka qënë fyese, si një simbol i mbrojtjes së skllavërisë dhe racizmit, me të cilin njerëzit me ngjyrë përballen ende sot”, tha zonja Smucker.

Monumenti unik i Gjeneralit Lee, i vlerësuar për cilësinë artistike, qëndronte mes katër statujave të tjera masive të Konfederatës në bulevardin e Riçmondit, por ato u hoqën verën e kaluar.

“Ne i vendosim gjërat në piedestale kur duam që njerëzit të ngrenë kokën lart”, tha zoti Northam në qershor 2020 kur njoftoi planin e heqjes së statujave. “Mendoni se çfarë mesazhi u dërgon njerëzve që vijnë nga e gjithë bota për të vizituar kryeqytetin e një prej shteteve më të mëdha në vendin tonë. Ose për fëmijët e vegjël”.

Statuja u nda në disa pjesë, në mënyrë që të transportohej drejt një magazine shtetërore në pritje të marrjes së një vendimi përfundimtar. Për momentin, piedestali nuk do të prishet, ndërsa punonjësit do të heqin pllakat dekorative.

Pas vdekjes së afrikano-amerikanit Floyd, zona përreth statujës u bë një qendër protestash dhe përplasjesh të herëpashershme midis policisë dhe demonstruesve. Piedestali është mbuluar nga grafite shumëngjyrëshe dhe shumë mesazhe që denoncojnë policinë dhe kërkojnë fundin e racizmit dhe pabarazisë në sistem.

Vendimet e guvernatorit Northam dhe kryebashkiakut të Riçmondit Levar Stoney për të hequr statujat e Konfederatës shënuan një fitore të madhe për aktivistët e të drejtave civile, thirrjet e të cilëve për dekada me radhë për heqjen e statujave ishin kundërshtuar me vendosmëri nga zyrtarët shtetërorë dhe ata të qytetit.

Një valë tjetër protestash kundër statujave ishte zhvilluar në vitin 2017, kur një tubim i supremacistëve të bardhë në qytetin Sharlotsville (Charlottesville) u shoqërua me dhunë. Monumente të tjera të Konfederatës filluan të hiqen në të gjithë vendin.

Por në Virxhinia, qeveritë vendore u penguan nga një ligj shtetëror, që mbronte memorialet e veteranëve të luftës. Ligji u ndryshua në vitin 2020 nga shumica e re demokratike në parlamentin e shtetit Virxhinia dhe u nënshkrua nga guvernatori Northam. Me futjen në fuqi të ndryshimeve më 1 korrik 2020, lokalitetet gëzuan të drejtën për të vendosur vetë për fatin e monumenteve.

Kryebashkiaku Stoney i përshpejtoi procedurat për heqjen e statujave duke ngritur shqetësimet se protestuesit mund të lëndoheshin nëse përpiqen të rrëzojnë vetë statujat e mëdha.

Ekipet e posaçme hoqën nga bulevardi statujat e gjeneralit Thomas "Stonewall" Jackson, oficerit të marinës së Konfederatës Matthew Maury dhe gjeneralit J.E.B. Stuart. Para dekretit të kryebashkiakut Stoney, protestuesit rrëzuan një statujë të Presidentit të Konfederatës Jefferson Davis. Edhe pse vetë statujat janë hequr, piedestalet e tyre ende mbeten.

Por zyrtarët e Riçmondit po përshpejtojnë planet për t’i hequr piedestalet dhe mbetjet e tjera të statujave dhe të paktën përkohësisht të ndryshojnë peizashin tek rrethrrotullimi.

Guvernatori Northam ka zgjedhur Muzeun e Arteve të Bukura të Virxhinias për të bërë një projekt të ri për të gjithë bulevardin.

Një statujë e legjendës së tenisit, afrikano-amerikanit nga Riçmondi Arthur Ashe, që u ngrit në bulevard në vitin 1996, pritet të mbetet aty. Sa i përket statujës së Gjeneralit Lee, guvernatori Northam ka thënë se administrata e tij do të kërkojë mendimin e publikut se çfarë duhet bërë me të.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG