Lidhje

SHBA u kërkon talebanëve të lejojnë fluturimet çarter nga Afganistani


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u bëri thirrje talebanëve të mërkurën të lejojnë fluturimet çarter nga Afganistani, pas njoftimesh se aeroplanë me në bord shtetas amerikanë dhe ata që konsiderohen si afganë në rrezik janë bllokuar në Aeroportin Ndërkombëtar Mazar-i-Sharif.

"Deri tani, talebanët nuk po lejojnë fluturimet çarter. Ata thonë se disa nga pasagjerët nuk kanë dokumentacionin e duhur", tha zoti Blinken gjatë një konference për shtyp me Ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani.

"Por si përfundim, ata duhet të jenë në gjendje të nisen. Dhe ne do të punojmë çdo ditë për t'u siguruar që ata janë në gjendje ta bëjnë këtë", tha diplomati i lartë amerikan.

Sipas njoftimeve shtetas amerikanë dhe afganë në rrezik kanë ngecur në aeroportin Mazar-i-Sharif në Afganistanin verior. Disa prej organizatorëve të këtyre fluturimeve të posaçme kanë akuzuar Departamentin e Shtetit se nuk po bën sa duhet për të lehtësuar largimin e tyre nga Afganistani.

"Jam shumë i irrituar, madje i zemëruar, për vonesën dhe mosveprimin e qeverisë sonë. Do të marrim shumë kohë për të kërkuar llogari për burokracinë e pafalshme që bllokoi një numër kaq të madh të aleatëve tanë afganë", shkruante senatori demokrat Richard Blumenthal në një postim në Twitter.

Shtëpia e Bardhë pranoi kufizimet në përgjigje të pyetjes se si Shtetet e Bashkuara mund t’i bëjnë presion talebanëve që ata të bëjnë më shumë.

"Ne nuk kemi një rol tek fluturimet. Ne nuk jemi në terren", tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki gjatë konferencës të së mërkurës.

Por ajo shtoi se në një numër avionësh mund të kenë vetëm pak amerikanë në bord, së bashku me disa qindra të tjerë që nuk janë identifikuar ose verifikuar, dhe ka një "pyetje themelore" se ku do të ulen këta avionë.

"A do të lejojmë ne që një aeroplan me qindra njerëz, që nuk e dimë se cilët janë, nuk e dimë se me çfarë protokollesh sigurie janë ngritur, të ulet në një bazë ushtarake amerikane?", tha ajo.

Uashingtoni po punon me partnerët ndërkombëtarë për t’i bërë presion talebanëve që të zbatojnë premtimin e tyre për kalim të sigurt dhe liri udhëtimi për këdo që zgjedh të largohet nga Afganistani.

Sipas Departamentit të Shtetit, SHBA është gjithashtu në kontakt të drejtpërdrejtë me individë dhe zyrtatë talebanë për të lehtësuar udhëtimet ndërkufitare.

Të mërkurën, zoti Blinken dhe zoti Maas zhvilluan bisedime me një grup partnerësh dhe vendesh aleatë lidhur me situatën në Afganistan, duke përfshirë përpjekjet për të siguruar rrjedhën e ndihmës humanitare në vend pas kalimit të vendit nën kontrollin e talebanëve.

Blinken: Talebanët duhet ta meritojnë legjitimitetin

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha të mërkurën se kabineti i qeverisë së përkohshme afgane nuk përfaqëson një qeverisje gjithëpërfshirëse siç kishin premtuar talebanët, duke shtuar se ky grup islamist duhet të punojë për të fituar legjitimitet në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.

Sekretari Blinken, gjatë vizitës në bazën ajrore amerikane Ramshtajn në Gjermani, e cila po shërben si pikë tranziti për të evakuuarit nga Afganistani, u bëri gjithashtu thirrje talebanëve të lejojnë largimin e avionëve me shtetas amerikanë dhe afganë të rrezikuar nga vendi.

Talebanët njoftuan të martën emrat për postet më të larta të qeverisë së përkohëshme. Një bashkëpunëtor i themeluesit të këtij grupi është emëruar kryeministër, ndërsa një individ i përfshirë në listën amerikane për terroristët është emëruar si ministër i brendshëm.

Po analizojmë njoftimin, por megjithëse patën deklaruar se qeveria e re do të ishte gjithëpërfshirëse, lista e sapo-njoftuar ka në mënyrë ekskluzive individë që janë anëtarë të talebanëve, ose bashkëpunëtorë të tyre të ngushtë dhe nuk ka gra,” tha zoti Blinken në një konferencë për shtyp.

Uashingtoni është “i shqetësuar nga lidhjet dhe e kaluara e disa prej këtyre individëve,” tha më tej sekretari amerikan i shtetit.

Sekretari Blinken dhe homologu i tij gjerman, Heiko Maas zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp, pas një takimi me pjesëmarrjen e 22 ministrave të jashtëm si dhe zyrtarëve të NATO-s, BE-së dhe të OKB-së.

Sekretari i Shtetit, Blinken tha se të gjithë pjesëmarrësit në takim bashkohen në bindjen se talebanët duhen mbajtur përgjegjës para se të njihet legjitimiteti i qeverisë së re.

"Talebanët kërkojnë legjitimitet ndërkombëtar dhe mbështetje. Çdo legjitimitet, çdo mbështetje duhet merituar,” tha zoti Blinken.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se në Afganistan po afron situatë krize në shërbimet bazë, pasi po mbarojnë rezervat ushqimore dhe ndihmat e tjera.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG