Lidhje

Papa Françesku përcjell në Hungari një mesazh që bie ndesh me politikat e kryeministrit Orban


Papa Françesku i bëri thirrje të dielën Hungarisë të "hapë krahët për të gjithë”, në një mesazh që mesa duket ishte një kritikë ndaj politikave anti-imigracion të Kryeministrit Viktor Orban, në fillim të një vizite katër-ditore në Evropën Qendrore dhe daljen e parë jashtë vendit që kur iu nënshtrua një operacioni të zorrëve në korrik.

Ati i Shenjtë, 84 vjeç, u shfaq në formë të mirë gjatë vizitës së tij të shkurtër në Budapest, duke drejtuar një meshë të gjatë dhe duke qëndruar në këmbë teksa përshëndeste turmat nga automjeti i tij i posaçëm. Ai përdori një karrocë golfi për të shmangur ecjen në këmbë për distanca të gjata brenda dhe tha në një moment se i duhej të ulej sepse "nuk jam më 15 vjeç", siç u shpreh ai. Megjithatë ai ndoqi një ritëm tipik të një udhëtimi të papës.

Kryeministri Viktor Orban përfaqëson atë lloj udhëheqësi populist dhe nacionalist që papa shpesh e kritikon.

Orban, politikat e të cilit kundër imigracionit përplasen me thirrjen e Françeskut për mirëpritjen e refugjatëve, përshëndeti papën argjentinas në Pallatin e Artit dhe të dy hynë në një takim privat ku morën pjesë edhe presidenti hungarez dhe zyrtarët e Vatikanit.

Qëndrimi i ashpër i Hungarisë ndaj imigracionit me sa duket nuk u diskutua.

"I kërkova Papa Françeskut të mos e linte Hungarinë e krishterë të vdesë," shkruante Orban në Facebook.

Papa Françesku u përshëndet me Presidentin Janos Ader, kryeministrin Orban dhe zëvendëskryeministrin Zsolt Semjen dhe pastaj pala hungareze dhe ajo Vatikanit u ulën të ndarë në një dhomë të madhe të muzeut.

Vatikani tha se takimi u mbajt në një "atmosferë të përzemërt" dhe zgjati më shumë se sa pritej - 40 minuta.

"Ndër temat e diskutuara ishin roli i kishës në vend, angazhimi për mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen dhe promovimin e familjes," thuhej në një deklaratë e Vatikanit.

Pas disa orëve në Budapest, Ati i Shenjtë shkoi në një turne katër-ditor në Sllovakinë fqinje.

Qëndrimi i shkurtër lë të kuptohet se Françesku donte të shmangte idenë e mbështetjes ndaj zotit Orban që mund të krijohej nga pritja e një Pape për një vizitë shtetërore përpara zgjedhjeve pranverën e ardhshme.

Zoti Orban e ka përshkruar shpesh qeverinë e tij si një mbrojtëse të qytetërimit të krishterë në Evropë dhe një mbrojtje kundër migrimit nga vendet me shumicë myslimane.

Françesku është shprehur solidar me imigrantët dhe refugjatët dhe ka kritikuar atë që ai e ka quajtur "populizëm nacionalist" të qeverive si ajo e Hungarisë.

Ai u ka bërë thirrje qeverive të mirëpresin dhe integrojnë sa më shumë emigrantë që të munden.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG