Lidhje

ShBA diskuton për urdhrin e vaksinimit nga administrata Biden


Urdhri i Presidentit Joe Biden për vaksinimin e detyrueshëm kundër COVID-19 në vendet e punës në mbarë Shtetet e Bashkuara po has në kundërshtime nga disa ligjvënës republikanë, të cilët thonë se do ta padisin administratën.

Kritikët thonë se urdhri i administratës Biden për vaksinim të detyrueshëm kundër COVID-19 tejkalon kompetecat e qeverisë federale dhe se do të shkaktojë shumë rezistencë tek të pavaksinuarit.

ShBA diskuton për urdhrin e vaksinimit nga administrata Biden
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Rregulli i ri u kërkon punëdhënësve të sigurohen që punëtorët e tyre ose të jenë vaksinuar plotësisht, ose t’u nënshtrohen testimeve javore.

Bizneset që shkelin rregullin, mund të përballen me gjoba deri në 14 mijë dollarë.

“Problemi është se ndërsa unë po mundohem të bindë të pavaksinuarit, veprimet e presidentit e rrisin rezistencën ndaj vaksinimit”, thotë Asa Hutchinson, guvernator republikan i shtetit Arkansa.

Sipas Universitetit Johns Hopkoins, në ShBA ka patur 41 milionë të infektuar dhe gati 660 mijë vdekje, që nga fillimi i pandemisë.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rreth 74 për qind e amerikanëve mbi 12 vjeç janë vaksinuar me të paktën një dozë, ndërsa ritmi i vaksinimeve është rritur gjatë javëve të fundit.

Por zyrtarët e shëndetësisë shprehen të shqetësuar se koronavirusi do të vazhdojë të përhapet, nëse nuk shtohet numri i të vaksinuarve.

Deri tani, 19 guvernatorë republikanë kanë deklaruar se do të ndërmarrin veprime ligjore kundër administratës, duke argumentuar se urdhri për vaksinimin është antikushtetues.

Administrata Biden thotë se në qëndër të përpjekjeve të vaksinimit janë sektorët ku qeveria federale gëzon autoritet, siç janë objektet shëndetësore, ku punësohen rreth 17 milionë vetë, si dhe bisneset me mbi 100 punëtorë, ku përfshihen rreth 80 milionë amerikanë.

“Ky është veprimi i duhur që ne besojmë dhe sigurisht që vjen nga një perspektivë e shëndetit publik. Më e rëndësishmja, do të ndihmojë në mbajtjen e sigurt të punëtorëve dhe do të ndihmojë ekonominë tonë”, tha Vivek Murthy, Këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për Çështje të Shëndetit Publik.

Përveç kësaj, kohëve të fundit Presidenti Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv që kërkon vaksinimin kundër COVID-19 të të gjithë punonjësve dhe kontraktorëve të qeverisë federale.

Urdhri i vaksinimit në vendet e punës vjen në një kohë kur 62 për qind e amerikanëve ankohen për kushte të dobëta ekonomike, sipas një sondazhi të fundit nga rrjeti CNN.

Presidenti Biden synon që përmes urdhrit të rritet shkalla e vaksinimit, të ulet rezistenca ndaj imunizimit, si dhe të përmirësohet ekonomia e vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG