Lidhje

Ekspertë të FDA-së mes shkencëtarëve që kundërshtojnë planin amerikan për një vaksinë përforcuese


Individët me shëndet të mirë nuk kanë ende nevojë për një dozë vaksine përforcuese kundër COVID-19, thuhet në një shkrim të botuar të hënën në një revistë shkencore të nënshkuar nga një grup ndërkombëtar shkencëtarësh, përfshirë dy drejtues të lartë të agjencisë amerikane të barnave (FDA).

Ekspertët shqyrtuan studimet mbi kapacitetet e vaksinave dhe arritën në përfundimin se vaksinimet po funksionojnë mirë, pavarësisht variantit Delta shumë infektiv, veçanërisht kundër simptomave të rënda.

“Edhe në popullatat me norma mjaft të larta vaksinimi, të pavaksinuarit janë ende përhapësit kryesorë të infektimeve” në këtë fazë të pandemisë, thotë grupi i shkencëtarëve.

Opinoni i shkencëtarëve i publikuar në revistën prestigjoze Lancet, ilustron debatin e thellë shkencor se kush ka nevojë për një dozë përforcuese dhe kur, një vendim me të cilin po përballen Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Pas daljes në skenë të ndërhyrjeve politike në reagimin e administratës së Presidentit Trump ndaj koronavirusit, Presidenti Joe Biden ka premtuar se vendimet e tij do të bazohen tek shkenca. Por shqyrtimi për një dozë përforcuese po ngre pyetjen nëse administrata e tij po lëviz më shpejt se sa ekspertët.

Mes autorëve të shkrimit janë edhe dy ekspertë të lartë të agjencisë amerikane për barnat (FDA) Dr. Phil Krause dhe Marion Gruber, të cilët kohët e fundit njoftuan se do të japin dorëheqjen këtë vjeshtë.

Ndër 16 autorët e tjerë janë studiuesit kryesorë të vaksinave në SHBA, Britani, Francë, Afrikën e Jugut dhe Indi, si dhe shkencëtarë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e cila tashmë ka kërkuar një moratorium mbi dozën përforcuese derisa vendet e varfra të vaksinohen më mirë.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka filluar planifikimet për marrjen e dozës përforcuese deri nga fundi i këtij muaji, nëse Administrata e Ilaçeve dhe Ushqimit (FDA) dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve bien dakord.

Larry Gostin me Universitetin Georgetown tha se opinioni i publikuar në revistën shkencore i “hedh benzinë zjarrit” në debatin nëse shumica e amerikanëve kanë vërtet nevojë për dozën përforcuese dhe nëse Shtëpia e Bardhë po del para shkencëtarëve.

“Është gjithmonë një gabim themelor i procesit për të bërë një njoftim shkencor para se agjencitë e shëndetit publik të kenë vepruar dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi”, tha zoti Gostin, veprimtar dhe specialist i shëndetit publik.

Agjencia federale për barnat (FDA) nuk iu përgjigj kërkesave për koment të hënën.

Tashmë, Shtetet e Bashkuara ofrojnë një dozë shtesë të vaksinave Pfizer ose Moderna për njerëzit me sistem imunitar të dobësuar rëndë.

Ndërkohë po zbehet debati tek popullsia nëse duhet marrë një dozë përforcuese edhe pse vaksinat ende ofrojnë mbrojtje të lartë kundër sëmundjeve të rënda - ndoshta me shpresën për të bllokuar infeksionet më të buta mes të vaksinuarve plotësisht.

Javën e shkuar, drejtuesja e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Dr. Rochelle Walensky tha se të dhënat tregojnë se të pavaksinuarit kishin 4.5 herë më shumë gjasa të infektoheshin se të vaksinuarit plotësisht dhe 10 herë më shumë të ngjarë të shtroheshin në spital dhe 11 herë më shumë të ngjarë që të vdisnin.

Megjithatë, shkencëtarët që punojnë me agjencitë shtetërore po shqyrtojnë gjithashtu aludimet se mbrojtja po zvogëlohet midis të rriturve të moshuar që u vaksinuan në fillim të dimrit të kaluar.

Autorët e komentit të publikuar të hënën në Lancet thanë se kishin shqyrtuar studime nga mbarë bota që nga fillimi i shtimit të rasteve me variantin Delta, kryesisht të vaksinave amerikane dhe evropiane. Ekipi arriti në përfundimin se “asnjë nga këto studime nuk ka ofruar prova të besueshme të zbehjes së fuqisë mbrojtëse të vaksinave kundër simptomave të rënda” të koronavirusit.

Për shkak se trupi ndërton shtresa imuniteti, rënia graduale e niveleve të antitrupave nuk do të thotë domosdoshmërisht rënie e efektivitetit të përgjithshëm “dhe ulja e efikasitetit të vaksinës kundër simptomave të lehta nuk parashikon domosdoshmërisht ulje të efikasitetit (zakonisht më të lartë) kundër sëmundjeve të rënda”, thonë ata.

Sa më shumë të përhapet virusi, aq më shumë mundësi ka për të evoluar në variante që mund të depërtojnë vaksinat aktuale. Në shkrimin e tyre në revistën Lancet, shkencëtarët sugjerojnë se mund të ketë përfitime më të mëdha nga krijimi i dozave përforcuese që përputhen më mirë me variantet qarkulluese, sikurse përmirësohet rregullisht vaksina e gripit, sesa nga dhënia e dozave shtesë të vaksinës fillestare.

“Tani ekziston një mundësi për të studiuar dozat përforcuese në bazë të variantit para se të ketë një nevojë të madhe për to”, thanë shkencëtarët.

XS
SM
MD
LG