Lidhje

Shtëpia e Bardhë mbron gjeneralin e lartë që shprehu shqetësime për ish-Presidentin Trump


Të mërkurën Shtëpia e Bardhë i doli në mbrojtje komandantin më të lartë ushtarak amerikan, Kreun e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Mark Milley, përballë thirrjeve për dorëheqjen e tij pasi u bënë publike pjesë të një libri të ri të shkruar nga gazetarët e gazetës Washington Post, Bob Woodward dhe Robert Costa.

Sipas librit, të titulluar "Peril”, gjeneral Milley u kishte thënë zyrtarëve të lartë ushtarakë se çdo urdhër për sulm që mund të jepej nga ish Presidenti Donald Trump në ditët e fundit të presidencës së tij duhet të kalonte përmes tij. Libri zbulon gjithashtu se gjenerali Milley telefonoi dy herë autoritetet kineze për të siguruar Pekinin se nuk kishte ndonjë rrezik se Shtetet e Bashkuara do ta sulmonin atë.

Sipas ligjit amerikan, presidenti është komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të vendit dhe në Shtetet e Bashkuara ka një traditë të kontrollit civil mbi udhëheqësit ushtarakë.

Por gjenerali Milley, duke besuar se gjendja mendore e zotit Trump ishte keqësuar pasi humbi garën për t’u rizgjedhur nëntorin e kaluar, thirri udhëheqësit e tij të lartë ushtarakë në fillim të janarit për t'u siguruar që ata të konsultoheshin me të para se të zbatonin ndonjë urdhër për sulm jashtë vendit nga zoti Trump, sipas librit. Gjenerali Milley nuk i ka kundërshtuar pohimet.

Pasi u bë e ditur të martën se ai kishte kontaktuar Pekinin, zyrtarët e lartë thanë se zoti Milley kishte koordinuar telefonatat me dijeninë e zyrës së sekretarit të mbrojtjes, udhëheqësi civil i Pentagonit.

Zoti Trump nuk dha ndonjë urdhër të tillë për sulm në janar, në prag të largimit nga Uashingtoni dhe marrjes së presidencës nga demokrati Joe Biden, megjithëse ai vazhdon edhe sot e kësaj dite me pretendimet e pabaza se u privua nga një mandat tjetër katërvjeçar për shkak të manipulimeve me votat.

Gjenerali Milley ka vazhduar të drejtojë ushtrinë amerikane gjatë tetë muajve të parë në detyrë të zotit Biden. Por disa ligjvënës republikanë kanë kërkuar dorëheqjen e tij lidhur me incidentet e përshkruara në libër, i cili do të dalë në qarkullim javën e ardhshme.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki hodhi poshtë çdo pretendim se gjenerali Milley kishte shkelur parimin e kontrollit civil mbi ushtrinë. Ajo tha se Presidenti Biden ka "besim të plotë në udhëheqjen e tij, patriotizmin e tij dhe besnikërinë e tij ndaj Kushtetutës."

Incidentet ndodhën në një kohë kur ish -presidenti "nxiti trazira që çuan në kryengritje dhe një sulm mbi Kapitolin e vendit tonë," tha ajo. Qindra mbështetës të zotit Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit më 6 janar në përpjekje për të mos lejuar ligjvënësit që të certifikonin fitoren e zotit Biden.

Zonja Psaki i quajti trazirat në Kapitol "një nga ditët më të errëta në historinë e kombit tonë."

Senatori republikan Marco Rubio nga Florida, një kritik i shpeshtë i Biden, bëri thirrje për dorëheqjen e Milley, duke thënë se Milley "punoi për të minuar në mënyrë aktive komandantin e përgjithshëm të forcave të armatosura amerikane" dhe se veprimet e tij ishin tradhti.

"Gjeneral Milley është përpjekur të justifikojë sjelljen e tij të pamatur duke argumentuar se ajo që ai e perceptoi si gjykim të ushtrisë ishte më e qëndrueshme sesa ai i komandantit të saj civil," i shkruan senatori Rubio zotit Biden.

"Është një precedent i rrezikshëm që mund të përdoret në çdo moment në të ardhmen nga gjeneral Milley ose të tjerë," tha zoti Rubio. "Rrezikon të godasë parimin e vjetër të vendit tonë të kontrollit civil mbi ushtrinë."

Një tjetër republikan, senatori Ted Cruz i Teksasit, i quajti zbulimet e librit "thellësisht shqetësuese".

"Kushtetuta jonë parashikon kontroll civil mbi ushtrinë dhe nëse kryetari i Shtabit të Përgjithshëm po sabotonte në mënyrë aktive komandantin e përgjithshëm dhe u premtonte armiqve tanë se do ta sfidonte komandantin e tij, kjo nuk është plotësisht në përputhje me përgjegjësitë e tij," tha Cruz.

Por zëdhënësi i gjeneralit Milley, koloneli David Butler, tha se veprimet që thuhet në libër se i ka ndërmarrë shefi i shtabit ishin brenda kufijve normalë, duke vënë në dukje se ai konsultohet rregullisht me shefat e mbrojtjes në të gjithë botën, përfshirë ata në Kinë dhe Rusi.

"Gjeneral Milley vazhdon të veprojë dhe këshillojë brenda autoritetit të tij në traditën e ligjshme të kontrollit civil të ushtrisë dhe betimit të tij ndaj Kushtetutës," tha zoti Butler në një deklaratë për shtyp.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG