Lidhje

E ardhmja e burgut të Guantanamos


E ardhmja e burgut të Guantanamos
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë fund luftës më të gjatë, me tërheqjen e plotë të trupave nga Afganistani më 31 gusht. Ndërkohë, mbeten disa sfida, përfshirë atë se çfarë duhet bërë me të dyshuarit për terrorizëm që ende mbahen në burgun e Guantanamos në Kubë.

Në janar të vitit 2002, pak muaj pas sulmeve të 11 shtatorit, të ndaluarit e parë në luftën kundër terrorizmit u dërguan në Gjirin e Guantanamos, pasi ishin kapur në Afganistan apo vende të tjera.

“Ka qënë i nevojshëm transferimi i këtyre individëve në një mjedis të fshehtë, ku mund të merreshin në pyetje nga ekspertët, dhe kur është e përshtatshme, të ndiqen penalisht për akte terroriste”, tha Presidenti George Bush në vitin 2006.

Burgu në bazën detare amerikane në Gjirin e Guantanamos në Kubë, ishte një mënyrë për t'u dhënë ekspertëve të antiterrorizmit më shumë hapësirë për marrjen në pyetje të të ndaluarve, thotë për Zërin e Amerikës studiesja Kris Garrity në Universitetin Georgetown.

“Individët e mbajtur atje nuk i nënshtrohen ligjit amerikan. Dhe pavarësisht shumë ligjeve ndërkombëtare rreth statusit të të burgosurve të luftës, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar kategoritë e tyre, siç janë luftëtarët e armikut”.

Pas ardhjes së Presidentit Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë, ai premtoi ta mbyllte kampin e debatueshëm të Guantanamos, por gjatë tetë viteve në pushtet nuk arriti ta bënte këtë.

Aktualisht, Presidenti Joe Biden ka nisur një rishikim të qendrës, me synimin për ta mbyllur atë para përfundimit të mandatit të tij. Zoti Biden përballet me të njëjtat pengesa sikurse demokrati Obama, thotë për Zërin e Amerikës eksperti i së drejtes kushtetuese Jonathan Hafetz.

“Problemi është se ka një numër kufizimesh për mbylljen e Guantanamos tani, siç janë kufizimet për sjelljen e të burgosurve në Shtetet e Bashkuara për gjykim, apo për transferimin e të burgosurve në vende të tjera, kështu që mendoj se është e rëndësishme të eliminohen këto pengesa ”.

Kundërshtimi i ligjvënësve amerikanë është një tjetër faktor kyç, thotë për Zërin e Amerikës Matthew Hoh, ish-diplomat amerikan dhe veteran lufte, që aktualisht punon me Qendrën për Politikat Ndërkombëtare.

Ai beson se zoti Biden do të ngurrojë të duket i butë ndaj terrorizmit pas kritiave për tërheqjen kaotike nga Afganistani dhe veçanërisht pasi disa të liruar nga Guantanamo u shfaqën në qeverinë e re talebane.

“Kritikat me të cilat është përballur zoti Biden, rënia katastrofike e qeverisë afgane, skenat nga aeroporti i Kabulit, të gjitha këto do të ndikojnë që Presidenti Biden të jetë shumë më i ashpër dhe konservator në marrjen e çdo vendimi për këto luftra, përfshirë burgun e Guantanamos. Një prej atyre që u pa në pallatin presidencial në Kabul, ka qënë i burgosur në Guantanamo.”

Aktualisht në burgun e Guantanamos ka 39 të ndaluar, disa prej të cilëve vetëm tani po dalin para gjyqit, dy dekada pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

XS
SM
MD
LG