Lidhje

Rritja e viktimave nga Covid 19, Manastirliu apel për vaksinim


Në Shqipëri, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ju drejtua sot me një apel qytetarëve të vendit për t'u vaksinuar, duke e quajtur mënyrën më të shpejtë për t’iu afruar fundit të pandemisë. Thirrja e ministres vjen ndërsa ditët e fundit ka patur një rritje të viktimave të Koronavirusit. Të premten u njoftuar për 10 të vdekur, të moshave nga 30 deri 83 vjeç. Bëhet fjalë për nivelin më të lartë ditor që nga 3 marsi.

“95 përqind e rasteve shtrimeve në spital janë të pavaksinuar. Po kështu shumica dërrmuese e viktimave në Spitalet Covid, janë jetë njerëzish që e humbën luftën, për shkak të mosvaksinimit", bëri të ditur zonja Manastirliu duke shtuar se “incidenca e rasteve të cilët janë vaksinuar dhe kalojnë sëmundjen pavarësisht nëse janë shtruar ose jo në spital, është 22 herë më e ulët në krahasim me incidencën e rasteve, të cilët nuk janë vaksinuar. Gjë e cila tregon vlerën që ka vaksinimi. Fakti që në të dhënat tona javore incidenca e sëmundjes është tepër e lartë tek të pavaksinuarit, si matje rezulton 20-30 herë më e lartë, tregon efektin domethënës të vaksinave", tha ministrja e Shëndetësisë.

Sipas saj “sfida që disa i bëjnë shkencës dhe mjekësisë, refuzimi për të pranuar mendimet e ekspertëve më të mirë në Botë, që thonë se vaksina është arma më e fuqishme që ka sot njerëzimi, është një mendjelehtësi që ka pasoja të rënda”.

Auoritetet kanë vendosur detyrimin e vaksinimit për mësuesit, pedagogët dhe studentët, që do të duan të ndjekin leksionet duke qenë të pranishëm në auditore. Ndërsa si alternativë, është lënë mundësia që një herë në javë të paraqesin testin që dëshmon se ata janë negativ.

Ashtu si muaji gusht dhe shtatori ka qenë një muaj i hapur për vaksinimin e të gjithë popullatës mbi 18 vjeç. Sipas të dhënave të fundit mbi 932 mijë qytetarë ose 42 përqind e popullsisë +18 vjeç ka marrë të paktën një dozë. Prej tyre gati 761 mijë qytetarë, ose 34.2 përqind e popullatës të dyja dozat e vaksinës. Aktualisht janë të disponueshme mbi 350 mijë doza, ndërkohë që sasi të tjera vijonë të mbërrijnë periodikisht në vend.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG