Lidhje

San Marino legalizon abortin dhe Zvicra martesat e personave të së njëjtës gjini


San Marino
San Marino

San Marino votoi me shumicë dërrmuese në referendumin e së dielës për të legalizuar abortin, duke e bërë republikën e vogël evropiane shtetin më të fundit me shumicë katolike që miraton këtë masë. Ndërsa, zvicerianët përmes një referendumi miratuan propozimin për të lejuar martesat mes personave të së njëjtës gjini.

San Marino legalizon abortin dhe Zvicra martesat e personave të së njëjtës gjini
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00

Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 77% e votuesve që morën pjesë në referendumin në San Marino mbështetën propozimin për legalizimin e abortit në 12 javët e para të shtatzënisë.

Aborti do të jetë i ligjshëm edhe pas kësaj periudhe nëse jeta e gruas është në rrezik ose nëse shëndeti i saj fizik ose psikologjik është në rrezik për shkak të anomalive ose keqformimeve të fetusit.

"Sot ne bëmë histori sepse njerëzit duhen të kenë të drejtën për të zgjedhur. Në një fushë, ku politika nuk arriti të bënte ndryshime, populli me votën e tij vendosi ta nxirrte San Marinon nga një situatë mesjetare që ka përjetuar me shekuj. Më në fund mund të themi se kemi një shtet në përputhje me rregullat dhe nevojat e një shoqërie moderne", tha Giacomo Volpinari, banor i San Marinos.

Referendumi u organizua pas nënshkrimit të një peticioni nga rreth 3,000 njerëz për të rrëzuar ligjin e abortit të këtij shteti të vogël, i cili daton nga viti 1865. Gratë në San Marino zakonisht shkonin në Italinë fqinje për të bërë procedurën e abortit. Kisha Katolike e ka kundërshtuar ashpër masën. Megjithatë, përkrahësit e tij argumentuan se ligji i vjetër ishte një barrë e rëndë financiare për gratë që mbeteshin shtatzënë si rezultat i përdhunimit.

Pas referendumit të së dielës, San Marino tani bashkohet me vendet e tjera kryesisht katolike si Irlanda, e cila legalizoi abortin në vitin 2018 dhe Italia fqinje, ku aborti u legalizua më 1978. Parlamenti i San Marinos tani duhet të hartojë një projekt-ligj për të legalizuar procedurën e abortit.

Geneva, Switzerland
Geneva, Switzerland

Ndërkohë, në një referendum të mbajtur të dielën në Zvicër, 64.1% e votuesve mbështetën propozimin për të lejuar martesat e personave të së njëjtës gjini.

“Unë jam shumë e gëzuar. Mendoj se edhe komuniteti LGBT është në përgjithësi i gëzuar. Kjo është një ditë historike për Zvicrën, një hap i madh përpara, për të cilin kemi pritur shumë vite. Kjo iniciativë filloi në vitin 2013, u desh të prisnim tetë vjet për referendumin”, tha Laura Ruysso, bashkë-presidente e Shoqatës së LGBT-së në Gjenevë.

Kundërshtarët e kësaj mase thonë se martesat e personave të së njëjtës gjini minojnë familjet e bazuara në martesat mes një burri dhe një gruaje.

Në dhjetor të vitit të kaluar parlamenti zvicerian miratoi një projektligj për të lejuar martesat e personave të së njëjtës gjini, por ai u sfidua në bazë të sistemit të demokracisë direkte të Zvicrës nga kundërshtarët e tij që mblodhën 50 mijë nënshkrimet e nevojshme për ta hedhur atë në referendum.

Mbështetësit e projektligjit thonë se zbatimi i tij do të marrë disa muaj për shkak të procedurave administrative dhe legjislative.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG