Lidhje

Përpjekjet e Kinës për t’i dhënë fund ndërtimit të termocentraleve me qymyr 


Chinese president Xi Jinping virtually addresses the 76th Session of the UN General Assembly on Sept. 21, 2021 in New York.

Njoftimi Presidentit Xi Jinping javën e kaluar se Kina do të ndalonte ndërtimin e termocentraleve me qymyr jashtë vendit gëzoi aktivistët e mbrojtjes së mjedisit.

Kjo është e lehtë për t’u kuptuar. Kina është një mbështetëse e madhe financiare e termocentraleve me qymyr në të gjithë botën, të cilat emetojnë dioksid karboni në atmosferë duke shkaktuar ndryshimin e klimës.

Të gjitha ekonomitë kryesore të botës tani janë zotuar t'i japin fund mbështetjes financiare të projekteve për ndërtimin e termocentraleve me qymyr. Koreja e Jugut dhe Japonia ndërmorën një angazhim të ngjashëm me atë të Kinës për t'i dhënë fund kësaj praktike në fillim të këtij viti.

Aktivistët shpresojnë kjo do të krijojë prirje të reja përpara konferencës për ndryshimet klimatike që do të mbahet në Glasgou të Skocisë, në nëntor.

"Qëndrimi ndaj energjisë së prodhuar me qymyr tashmë është i qartë", thotë Alok Sharma, një politikan britanik që po organizon konferencën e OKB-së.

Jo të gjithë ekspertët e klimës pajtohen me këtë vlerësim sepse premtimi i Presidentit kinez Xi gjatë një fjalimi të martën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ishte i shkurtër dhe ende nuk është shndërruar në një masë konkrete.

Këto janë disa nga pikëpyetjet më të mëdha në lidhje me njoftimin e Presidentit kinez:

Kur do të hyjnë në fuqi rregullat e reja të Kinës?

Fjalimi i zotit Xi nuk specifikonte se kur Pekini do të ndalonte ndërtimin e termocentraleve me qymyr jashtë vendit. Ai gjithashtu nuk theksonte nëse rregullat e reja do të zbatoheshin menjëherë apo gradualisht. Këta faktorë mund të jenë vendimtar për shumë projekte aktuale që përdorin si bazë qymyr të financuara nga Kina, pasi fabrikat zakonisht kanë një jetëgjatësi prej disa dekadash.

"Qeveria kineze do të përballet me shumë rezistencë brenda Kinës nga grupet e interesit të industrisë së qymyrgurit", thotë Christine Shearer, drejtore e programit për qymyrgurin në kompaninë Global Energy Monitor, e cila dokumenton projektet e karburanteve fosile në të gjithë botën.

"Megjithatë, ne gjithashtu e dimë se kur qeveria kineze vendos të bëjë diçka, ajo mund ta bëjë atë më shpejt dhe më gjerë se shumica e vendeve të tjera të botës".

Kina tashmë ka filluar të heqë dorë gradualisht nga përfshirja në projekte jashtë vendit që përdorin qymyr për prodhimin e energjisë. Nisma e Kinës “Një Brez një Rrugë”, e cila ka ndihmuar në ndërtimin e termocentraleve me qymyr nga Turqia deri në Vietnam, nuk financoi asnjë projekt të këtij lloji në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Shumë analistë thonë se një nga arsyet për këtë ndryshim qëndrimi të Kinës, është kundërshtimi i konsiderueshëm i brendshëm ndaj impianteve të qymyrit që shkaktojnë ndotje në vende të ndryshme, si dhe rënia e çmimit të energjisë së rinovueshme, pra të energjisë diellore dhe asaj të prodhuar me erë.

"Në më shumë se gjysmën e botës, është më e lirë të ndërtosh kapacitete të reja fotovoltaike diellore ose atyre të prodhimit të energjisë me erësesa të mbash në punë njësitë ekzistuese të djegies së qymyrit, një prirje që parashikohet se do të përmbushë 100% të nevojave të tregut brenda dekadës", thotë Shearer.

A do të përfundojnë investimet private të Kinës në industrinë e qymyrgurit?

Nuk është e qartë nëse njoftimi i Presidentit kinez Xi ndikon vetëm në financimin projekteve publike, apo edhe vendosjen e kufizimeve ndaj bankave komerciale të vendit që janë të përfshija në projekte të qymyrgurit jashtë Kinës.

Një shenjë e mundshme erdhi të premten, kur Banka e Kinës, një bankë komerciale shtetërore, tha se do të ndalonte financimin e projekteve të reja të minierave të qymyrgurit dhe termocentraleve të qymyrgurit jashtë shtetit duke filluar muajin e ardhshëm.

"Nëse zotimi i (Presidentit) Xi përfshin edhe bankat komerciale të Kinës, kjo do të ishte shumë më ambicioze se gjithçka që ka bërë Perëndimi", shkroi në Twitter Kevin Gallagher, drejtor i Qendrës së Politikave Globale të Zhvillimit në Universitetin e Bostonit.

Por një lëvizje e tillë do të ishte sfiduese, thotë Judith Shapiro, një eksperte e zhvillimit të qëndrueshëm, e cila jep mësim në Shkollën e Shërbimit Ndërkombëtar të Universitetit Amerikan.

"Qeveria qendrore nuk kontrollon plotësisht atë që subjektet e ndryshme të financuara nga Kina zgjedhin të bëjnë jashtë shtetit, veçanërisht kur ato nxiten nga fitimi dhe jo nga konsideratat e reputacionit gjeopolitik", thotë zonja Shapiro.

Sipas një artikulli akademik të botuar së fundmi, një faktor tjetër mund të jetë fakti se shumë kompani ndërtimi kineze ndërtojnë miniera qymyrguri jashtë vendit duke përdorur fonde që e kanë burimin jashtë Kinës. Nuk është e qartë nëse Presidenti kinez Xi synon të ndalojë edhe projektet e këtij lloji.

"Pra, ne duhet të presimi për të kuptuar se çfarë mendonte Presidenti Xi kur tha "ndërtoni"”, shkroi Cecilia Han Springer në Twitter, një nga autoret e artikullit.

A do t'i jap fund Kina varësisë nga qymyri në vend?

Kina mund të heqë dorë nga përfshirja e saj në projektet me qymyr jashtë vendit, por brenda vendit ajo varet prej tij për pjesën më të madhe të furnizimit me energji elektrike.

Shifrat janë tronditëse. Sipas një studimi të organizatës kërkimore Ember, Kina ka djegur mbi gjysmën (53%) e totalit të qymyrgurit të përdorur në botë në vitin 2020.

Gjendja mund të mos përmirësohet së shpejti, pasi ritmi i ndërtimit të termocentraleve me qymyr në Kinë vazhdon të jetë më lartë sesa në pjesën tjetër të botës. "Në vitin 2020, Kina ndërtoi mbi tre herë më shumë kapacitete të reja të qymyrgurit sesa të gjitha vendet e tjera së bashku", thuhet në një raporti të publikuar nga Qendra për Studimin e Energjisë dhe Ajrit të Pastër me seli në Helsinki.

Ndryshe nga shumë vende të tjera, pandemia e koronavirusit nuk shkaktoi madje as edhe një pakësim të përkohshëm të emetimeve në Kinë. Një nga arsyet për këtë është se shumë provinca kineze kanë përdorur projektet në industrinë e qymyrgurit për të stimuluar ekonominë e tyre gjatë ngadalësimit të rritjes së saj të shkaktuar nga pandemia, thotë organizata Global Energy Monitor.

"Sfidat ekonomike për shkak të Covid-19 kanë rritur presionin për të ruajtur vendet e punës dhe fitimet", thotë profesorja Shapiro. "Largimi gradual nga përdorimi i qymyrgurit ka një kosto të lartë, që Kina po përpiqet të përballojë në këtë moment, duke patur parasysh se ka një furnizim të bollshëm të qymyrigurit brenda vendit."

Këto prirje ndihmojnë në shpjegimin arsyeve se pse Kina ishte e vetmja ekonomi e madhe botërore që pati një rritje të emetimit të gazrave karbonikë deri në vitin 2020.

Ekspertët gjithashtu ngrenë pikëpyetje në lidhje me aftësinë e Kinës për të përmbushur premtimet e saj për të neutralizuar sasinë e çliruar të dioksidit të karbonit deri në vitin 2060.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG