Lidhje

Japoni, udhëheqësi i ri i partisë qeverisëse, një hap larg postit të kryeministrit


Fumio Kishida është një hap larg marrjes së postit të kryeministrit të ardhshëm të Japonisë pas zgjedhjes së tij të mërkurën si kryetar i partisë që qeveris vendin prej kohësh.

Gjashtëdhjetë e katër vjeçari, i cili ka mbajtur më parë detyrën e ministrit të Jashtëm, fitoi ndaj ministrit të Vaksinimit Taro Kono në raundin e dytë të votimit në garën për kreun e Partisë Liberal Demokrate me qasje konservatore. Kishida dhe Kono kaluan në balotazh pasi asnjëri prej tyre nuk fitoi shumicën e votave në raundin e pare. Më pas Kishida fitoi garën me vetëm një votë diferencë (256-255).

Kono dhe Kishida shihen si pretendentët kryesorë për të zëvendësuar Yoshihide Sugën, i cili pritet të japë dorëheqjen për shkak të kritikave mbi trajtimin e pandemisë së COVID-19s, veçanërisht për këmbënguljen nga ana e tij për të mbajtur Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike të Tokios verën e kaluar ndërsa Japonia ndodhej në krizë si pasojë e rritjes së infeksioneve.

Suga ka qenë në këtë detyrë vetëm për një vit. Ai pasoi ish-Kryeministrin Shinzo Abe, i cili dha dorëheqjen për shkak të problemeve me shëndetin.

Kono rezulton kandidati kryesor në sondazhet publike, por Kishida gëzon më shumë popullaritet mes ligjvënësve të partisë.

Për postin e kryeministrit të vendit janë pretendente edhe dy gra. Ultra-konservatorja Sanae Takaichi, e cila ka mbështetjen e ish-Kryeministrit Abe. Në rast fitoreje ajo do të ishte gruaja e parë në vend që do të shërbente në këtë detyrë. Kandidatja tjetër Seiko Noda, ka pak mbështetje në parti.

Parlamenti i vendit pritet të mblidhet më 4 tetor për të votuar zyrtarisht për pasardhësin e Sugës. Gjasat janë që fituesi i garës për kreun e partisë të bëhet edhe kryeministri i ri i vendit. Ky i fundit do të qëndrojë në detyrë vetëm një muaj, deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme që do të mbahen më 28 nëntor.

XS
SM
MD
LG