Lidhje

Senati miraton projekt-ligjin për buxhetin për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë


Senati bëri të enjten pasdite një hap drejt shmangies së një mbylljeje të pjesshme të qeverisë federale, që nëse ndodh do të ishte një goditje e rëndë për Partinë Demokrate.

Në një votim dypartiak 65-35, Senati ra dakord të vazhdojë të financojë agjencitë federale deri më 3 dhjetor. Dhoma e Përfaqësuesve pritet ta miratojë project-ligjin më vonë të enjten, duke e dërguar atë tek presidenti Joe Biden për ta nënshkruar para se të përfundojë afati i mesnatës.

Ndërsa ky project-ligj duket se do të miratohet, fati i një pakete prej 1 trilion dollarësh për të rindërtuar rrugët, urat dhe infrastrukturën tjetër të vendit është shumë më pak i sigurt.

Udhëheqësi i shumicës në Senatin amerikan, Chuck Schumer tha të enjten se ai do t'i kërkojë Senatit të marrë në konsideratë një projekt-ligj të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve për rritjen e kufirit të borxhit "që javën e ardhshme".

Zoti Schumer tha se paketa do të mbajë nivelet aktuale të financimit të agjencive qeveritare deri më 3 dhjetor. Ajo gjithashtu do të përfshijë 6.3 miliardë dollarë për të ndihmuar sistemimin e refugjatëve afganë që vijnë në Shtetet e Bashkuara, si dhe 28.6 miliardë dollarë për të ndihmuar shtetet lindore dhe jugore të mëkëmben nga uraganet shkatërrimtare dhe shtetet perëndimore nga zjarret dërrmuese.

"Me kaq shumë çështje kritike për t'u trajtuar, gjëja e fundit që i duhet popullit amerikan tani është mbyllja e qeverisë," tha zoti Schumer të mërkurën në Senat. "Ky propozim do të parandalojë që të ndodhë një gjë e tillë".

Republikanët e Senatit në fillim të kësaj jave e bllokuan projekt-ligjin për të shmangur mbylljen e qeverisë pasi bashkë me të ishte përfshirë edhe një dispozitë për të ngritur tavanin e borxhit ferderal, të cilin ata po përpiqen t'i detyrojnë demokratët ta miratojnë vetë pa mbështetjen republikane.

Por udhëheqësi i republikanëve në Senat Mitch McConnell tha se republikanët janë të gatshëm të mbështesin buxhetin federal për ta mbajtur qeverinë të hapur në vitin e ri fiskal që fillon të premten.

Që nga viti 1976, ka pasur 21 mbyllje të pjesshme të qeverisë amerikane.

Sipas ligjit, agjencitë qeveritare amerikane duhet të kenë financim të autorizuar nga kongresi për të funksionuar. Mbylljet zakonisht kanë ndodhur kur Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë nuk kanë mundur të bien dakord mbi nivelet e financimit për operacione të veçanta, ose nëse programet në fjalë meritojnë të financohen.

Pa fonde gjatë mbylljeve, shumë operacione të qeverisë ndalen, të tilla si pagesat e pensioneve, përpunimi i rimbursimeve të taksës mbi të ardhurat, apo qasja në parqet kombëtare. Sidoqoftë, operacionet e sigurisë kombëtare janë konsideruar thelbësore dhe punonjësit qëndrojnë në punë, edhe pse pagesat e tyre mund të vonohen.

Ndërkohë, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi u tha kolegëve demokratë se Dhoma do të votonte së shpejti për heqjen e kufirit të borxhit të qeverisë.

Edhe nëse Dhoma e miraton atë, fati i tij në Senatin e ndarë politikisht, me 50 republikanë dhe 50 demokratë, është i pasigurt.

Republikanët në Senatit kanë refuzuar dy herë këtë javë përpjekjet për të hequr kufirin e borxhit, duke thënë se kjo është një përpjekje e demokratëve të opozitës për t’i hapur rrugën shpenzimeve të mëdha buxhetore për të zgjeruar programet e rrjetit të sigurisë sociale, më të mëdhatë që nga vitet 1960.

Republikanët kundërshtojnë në mënyrë të njëzëshme propozimet e mbështetura nga Presidenti Joe Biden.

Sekretarja e Thesarit Janet Yellen u tha udhëheqësve të Kongresit të martën se qeveria ka të ngjarë të mbetet pa fonde për të paguar faturat e saj deri më 18 tetor, nëse Kongresi nuk heq kufirin e borxhit, ose nuk e rrit atë në mënyrë të konsiderueshme, përtej totalit të tij aktual prej 28.4 trilionë dollarësh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG