Lidhje

SHBA: Gjykatësi mban në fuqi detyrimin për vaksinë për personat që pretendojnë "imunitet natyror"


Një gjykatës amerikan mbështeti kërkesën e Universitetit të Kalifornisë që vaksina COVID-19 të jetë e detyruar duke hedhur poshtë një sfidë nga një profesor i cili pretendonte se kishte fituar imunitet pasi e kishte kaluar koronavirusin, në një vendim që duket të jetë i pari i këtij lloji.

Gjyqtari i Distriktit në Santa Ana të Kalifornisë, James Selna, tha se sistemi universitar veproi në mënyrë të arsyeshme për të mbrojtur shëndetin publik duke e bërë të detyrueshme vaksinën dhe duke mos përjashtuar nga kjo kërkesë individët me një nivel imuniteti nga koronavirusi.

Më shumë se 43 milionë amerikanë kanë pasur raste të konfirmuara të COVID-19 dhe disa persona që janë kundër vaksinimeve kanë argumentuar se imuniteti nga infektimi shmang nevojën për vaksinim.

Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thanë më 6 gusht se një studim arriti në përfundimin se vaksinat ofrojnë mbrojtje më të mirë sesa imuniteti natyror i fituar nga infeksioni i mëparshëm, i cili zbehet me kalimin e kohës.

Të mërkurën, një grup mjekësh që janë anëtarë republikanë të Kongresit i shkruan CDC për t'i kërkuar agjencisë të njohë imunitetin natyror.

Ligjvënësit thanë se nëse numri në rritje i mandateve të vaksinave injoron imunitetin natyror, kjo mund të çojë në mungesë të fuqisë punëtore pasi njerëzit pushohen nga puna për shkak se nuk vaksinohen. Letra e tyre thoshte se mandate të tilla madje mund të shkaktonin një krizë sigurie sepse deri në 20% të ushtrisë përballen me "largimin" dhe shumë prej tyre "ka të ngjarë të kenë imunitet natyror".

Vendimi i gjykatësit hidhte poshtë një kërkesë të profesorit Aaron Kheriaty të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Kalifornisë në Irvajn. Megjithëse gjykatësi tha se ai nuk ka gjasa për sukses, prof. Kheriaty tha se planifikon ta vazhdojë procesin gjyqësor.

Ai i tha agjencisë Reuters se planifikon të thërrasë për dëshmi ekspertët e universitetit në lidhje me arsyetimin e tyre për refuzimin e argumenteve të tij mbi imunitetin natyror.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG