Lidhje

Soreca: Të zgjatet mandati i institucioneve të Vettingut


Në Shqipëri, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, foli sot për nevojën e zgjatjes së mandatit të institucioneve që kryejnë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të çuar deri në fund këtë proces. Rishikimi i mandatit kërkon një ndërhyrje në kushtetutë. Shumica socialiste është shprehur në favor dhe ka njoftuar nisjen e përgatitjeve për këto ndryshime, të cilat kërkojnë dhe konsensusin e opozitës.

Soreca: Të zgjatet mandati i institucioneve të Vettingut
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:38 0:00

Në Qershor të vitit të ardhshëm, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve publikë u mbaron mandati 5 vjeçar. Sipas parashikimeve në fuqi, rolin e tyre do të duhet të kryejë Këshilli i Lartë Gjyqësor, në rastin e gjykatësve dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë në rastin e prokurorëve. Ndërkohë që Kolegji i posaçëm i Apelit ka një mandat më të gjatë.

Ndërsa shumica socialiste është shprehur në favor të zgjatjes së mandatit, sot në mbështetje të kësaj alternative u shpreh dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit europian Luigi Soreca: "​Është urgjente të garantojmë përfundimin e procesit të vetingut: është thelbësore që të gjitha rastet e vetingut në pritje të përfundojnë në periudhën më të shkurtër të mundshme kohore, duke ruajtur konsistencën dhe integritetin e procesit. Kjo kërkon një zgjatje të kufizuar kohore të mandatit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe komisionerëve publikë. Sigurisht që i takon parlamentit dhe qeverisë të përcaktojë kufijtë e saktë kohorë të një zgjatjeje të tillë, në konsultim me palët përkatëse të interesit".

Zgjatja e mandatit kërkon ndryshime kushtetuese, e për pasojë një shumicë me dy të tretat e parlamentit, gjë e cila bën të pashmangshëm dhe konsensusin e opozitës, e cila ende nuk është shprehur publikisht për qëndrimin e saj ndaj kësaj çështjeje. Partia Demokratike i tha Zërit të Amerikës se “kur të ketë një propozim konkret për çështjen, PD do ta diskutojë dhe do të marrë një vendim”.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e organizuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, (KLGJ), ambasadori Soreca vuri theksin dhe në disa aspekte të tjera të reformës në Drejtësi, që sipas tij duhet të trajtohen po me urgjencë: "Është thelbësore të angazhohemi për garantimin e efikasitetit të gjykatave, përfshirë përfundimin e punës në vazhdim për hartën gjyqësore dhe sistemin e ri të menaxhimit të rasteve. Është e rëndësishme të kihet parasysh roli themelor i Shkollës së Magjistraturës dhe burimet e saj".

Harta e re gjyqësore ka mbetur prej më shumë se një vit, peng i mosmarrëveshjeve mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Ministri i ri Ulsi Manja tha sot se shumë shpejt kjo çështje do të marrë zgjidhje: "Dje ka patur një rishikim të projektit të hartës së re gjyqësore në KLGJ dhe shumë shpejt harta do të vijë në Ministrinë e Drejtësisë e rishikuar”.

Zëri i Amerikës ka mësuar se rishikimi nuk ka të bëjë me thelbin e propozimit të KLGJ, që çon në një reduktim drastik të numrit të Gjykatave duke lënë mes të tjerave vetëm një gjykatë Apeli. Alternativa që po diskutohet është ajo që shërbimet administrative të mbeten në qytetet ku janë, për të mundësuar ofrimin e veprimeve të para gjyqësore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG