Gjeorgjianët po votojnë të shtunën në zgjedhjet lokale që mund të përshkallëzojnë një përplasje politike midis partisë në pushtet dhe opozitës një ditë pas arrestimit të ish-presidentit dhe politikanit opozitar Mikheil Saakashvili.
Zoti Saakashvili, i cili u largua nga Gjeorgjia në vitin 2013 dhe u dënua në mungesë në vitin 2018, u arrestua të premten pasi u kthye në Gjeorgji dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij që të votojnë për opozitën dhe të organizojnë një protestë paszgjedhore në rrugë.
Autoritetet e Gjeorgjisë kishin paralajmëruar se ai do të arrestohej nëse kthehej. Presidentja Salome Zourabichvili tha pas arrestimit të tij se nuk do ta falë zotin Saakashvili dhe e akuzoi atë se po përpiqej qëllimisht të destabilizonte vendin.
Avokati i ish-presidentit Saakashvili dënoi arrestimin e tij të premten si një "burgim politik". Në një letër të botuar të shtunën nga avokati i tij dhe në faqen e tij në Twitter, Saakashvili, 53 vjeç, përsëriti thirrjen e tij drejtuar mbështetësve për të votuar dhe tha se pas arrestimit të tij qëndronin "vendimet e fabrikuara, të rreme" të presidentit rus.
Ish-presidenti gjeorgjian Saakashvili dhe presidenti rus Putin kanë një histori të gjatë përplasjesh.
Armiqësia arriti kulmin në vitin 2008 kur trupat paqeruajtëse ruse u përfshinë në një luftë të shkurtër në një rajon separatist të Gjeorgjisë, kur zoti Saakashvili ishte në pushtet. Zoti Putin ishte kryeministër rus në atë kohë dhe miratoi veprimet ushtarake.
Kremlini tha të premten se çështja e Saakashvilit ishte jashtë sferës së përgjegjësisë së tij.
Zgjedhjet në vendin me rreth 3.9 milionë banorë, të cilat përfshijnë një votim për kryebashkiakun e kryeqytetit Tbilisi, kanë marrë rëndësi në mes të një krize politike njëmujore që shpërtheu pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, të cilat e shtynë opozitën të bojkotojë.
Kreu i partisë kryesore opozitare, Lëvizja Kombëtare e Bashkuar (UNM) që është themeluar nga zoti Saakashvili, u arrestua në shkurt, por u lirua në maj mes një përpjekjeje nga Bashkimi Evropian për të ndërmjetësuar një marrëveshje.