Lidhje

SHBA: Presidenti Biden premton "përpjekje të pandalshme" për projekt-ligjet e ekonomisë


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha të shtunën se ai do të "punonte pa pushim" për të siguruar miratimin në Kongres si të projekt-ligjit për infrastrukturën, ashtu edhe atë për programet sociale prej triliona dollarësh dhe se ka në plan të udhëtojë në vend për të mobilizuar mbështetjen për to mes amerikanëve.

Zoti Biden ishte të premten në Kapitol, në përpjekje për t'i dhënë fund një beteje mes të moderuarve dhe progresistëve të majtë në Partinë e tij Demokrate që ka rrezikuar fatin e dy projektligjeve që janë në qendër të programit të tij të politikës së brendshme.

Presidenti pranoi të shtunën kritikat se ai nuk kishte bërë sa ç’duhet për të siguruar mbështetje për projekt-ligjet duke udhëtuar në shtete të ndryshme.

Zoti Biden tha se do të shkonte në të gjithë vendin "për të parashtruar argumentat se pse kjo është kaq e rëndësishme" dhe për t’u shpjeguar qytetarëve se çfarë përmbajnë dy projekt-ligjet.

Ai tha se donte që përmes këtyre paketave të përmirësonte jetën e amerikanëve të zakonshëm, si për shembull lehtësimin për koston e kujdesit për fëmijët.

"Nuk ka asgjë në asnjë në këto projekt-ligje që të jetë radikale dhe e paarsyeshme," tha zoti Biden.

Zoti Biden shprehu besimin se të dy paketat do të miratohen, por nuk pranoi të përcaktonte një afat se kur do të ndodhte kjo.

"Unë besoj se mund ta realizoj këtë," tha Presidenti Biden.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG