Lidhje

Tiranë: Gledis Nano, drejtues i ri i Policisë së Shtetit


Qeveria emëroi sot si drejtues të ri të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, një ditë pas dorëheqjes së ish-drejtorit të përgjithshëm, Ardi Veliu, për arsye personale.

Zoti Nano është oficer me karrierë 20-vjeçare dhe deri sot ishte për 5 vjet Drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit.

Ai u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia, krahas shumë trajnimeve të tjera me agjencitë aleate të sigurisë, dhe në punën e tij ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ka udhëhequr operacione të suksesshme.

Mes tyre në rezultatet e tij renditen operacione si riatdhesimi i qytetarëve shqiptarë nga kampi “Al-Hol” në Siri, zbulimi i një celule terroriste që planifikonte sulme në Tiranë si dhe dëbimi i diplomatëve iranianë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Blendi Çuçi, deklaroi pas mbledhjes së sotme të qeverisë se “sfida e drejtorit të ri është të çojë përpara performancën e shkëlqyer të Policisë së Shtetit në këto vite”.

Ai shprehu vlerësime për ish- drejtorin Ardi Veliu, që u largua pas “rezultateve shumë të larta, që e çuan në nivele si asnjëherë tjetër në këto 30 vite performancën e Policisë së Shtetit”.

Ministri theksoi se gjatë afro 4 viteve në drejtimin e Policisë së Shtetit, “zoti Veliu dëshmoi profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjshmëri maksimale”.

Por opozita zgjodhi fjalët më kritike për të përcjellë ish-drejtorin e përgjithshëm të Policisë.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, deklaroi mbi këtë zhvillim se me largimin e zotit Veliu “në krye të Policisë së Shtetit ishte një bandit më pak”.

Sipas tij, “Ardi Veliu ka qenë çdo ditë në shërbim të grupeve kriminale dhe rrjeteve të caktuara të trafikut ndërkombëtar të drogës”.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike theksoi se gjatë drejtimit të polcisë së shtetit nga zoti Veliu Shqipëria u rendit ndër vendet kryesore për trafikimin e drogave nga kokaina tek kanabisi, ndërsa Departamenti i Shtetit e futi Shqipërinë ne listën e vendeve kryesore për pastrimin e parave të pista.

“Të drejtat dhe liritë e qytetarëve u përkeqësuan, duke kulmuar me vrasje në rrugë të të rinjve dhe me rrahje të minorenëve. Dhuna e policisë ndaj zgjedhjeve dhe ndaj opozitës ishte e paprecedentë” - u shpreh zoti Bardhi.

Kryeministri Edi Rama i kërkoi policisë në një takim pas zgjedhjeve të përgjithshme që brenda 100 ditëve të sillnin një përmirësim të ndjeshëm të rendit publik në komunitet dhe brenda radhëve të tyre.

Dorëheqja e zotit Veliu përkoi me këtë afat 100 ditor të caktuar nga kryeministri dhe me disa krime të ndodhura ditët fundit, që tërhoqën vëmendjen e opinionit publik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG